Fotografitë festive me babadimrin i filloi që nga viti 1996, pas befasisë që ua bëri djemve të tij.
Që nga ajo kohë pronari i studios ikonike në Prishtinë, “Foto – Nesha”, Luan Dizdari, nuk i ndali më shkrepjet me këtë motiv, raporton Ju Flet Prishtina.
Fotot me babadimër u bënë më të kërkuarat e prindërve, për të ruajtur kujtimet e fëmijëve të tyre për Vitin e Ri.
Bile risia të cilën Dizdari e solli në kryeqytet, në vitet aspak të lehta për shqiptarët, u bë atraksion.
Qysh prej para 27 vjetëve e deri më tani, plaku i Vitit të Ri nuk u hoq nga koleksioni i fotografive festive të “Foto-Nesha”.
Megjithatë, me kalimin e kohës, Santa-s iu shtuan edhe shoqe e shokë, që janë figura të dashura për më të vegjlit.
Derisa deri vonë kujtimet e Vitit të Ri me babadimër preferoheshin vetëm nga fëmijët, tashti, këtë po e bëjnë edhe të gjithë tjerët në familje.