Ndër pikat që avokatja e Jakup Krasniqit i ka vlerësuar si gabime të Prokurorisë për rastin e akuzës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë edhe ajo e pretendimit se UÇK-ja ka qenë ushtri e organizuar në terren.Sipas avokates Venkateswari Alagendra, “Prokuroria mbivlerëson tërësisht organizimin e UÇK-së”.
“Parashtron teori të pabazuar se UÇK-ja ishte më e organizuar se sa në fakt ishte. Është thjesht fantazi që injoron realitetin në terren. Prokuroria është bërë pjesë e propagandës ndaj UÇK-së”, ka thënë ajo.
Avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka thënë gjithashtu se klienti i saj, ka pasur rol të zëdhënësit të UÇK-së dhe nga ky rol, zëdhënësi s’ka përfshirje në çështje opreacionale ushtarake.
Ajo është ankuar se mënyra e arrestimit të tij në nëntor të 2020-s ka qenë e gabuar dhe e padrejtë, duke u bazuar në bashkëpunimin e tij me drejtësinë në vazhdimësi. Në fjalën hyrëse si mbrojtëse, Alagendra ka thënë se Krasniqit nuk iu dha mundësia për t’u paraqitur me dinjitet para drejtësisë, por u rrethua nga policë të armatosur.
Sipas saj, janë të paktën 6 gabime në procesin ndaj Krasniqit. Gabim të parë e ka vlerësuar “keqkuptimin ose qëllimisht keqpërfaqësimin e rolit personal të Krasniqit”.