Atletico Madrid ka regjistruar një fitore bindëse 3:0 ndaj Mallorca-s në kuadër të javës së 21-të të La Liga-s, duke konfirmuar formën e mirë dhe ambiciet për zonën e kreut të tabelës.
Skuadra e Diego Simeones e mori epërsinë herët me golin e Sorloth në minutën e 22-të, ndërsa në pjesën e dytë rezultati u thellua pas autogolit të Lopez në minutën e 75-të. Fitoren e vulosi Almada në minutën e 87-të, duke i dhënë Atletico-s tri pikë të plota pa shumë telashe.
Pas ndeshjes, trajneri Simeone vlerësoi forcën e Mallorca-s dhe veçanërisht rëndësinë e sulmuesit kosovar Vedat Muriqi për lojën e kësaj skuadre, por theksoi se ekipi i tij e kontrolloi mirë takimin nga fillimi deri në fund.
“Mallorca është ekip i fortë dhe Muriqi është një pikë kyçe për ta, por sot e menaxhuam ndeshjen në mënyrë perfekte,” u shpreh Simeone.
Me këtë fitore, Atletico Madrid ngjitet në vendin e tretë me 44 pikë, duke vazhduar ndjekjen e liderëve, ndërsa Mallorca mbetet në pozitën e 16-të me 21 pikë, në luftë për mbijetesë në elitën e futbollit spanjoll./04 Online













































