Një pasdite zhgënjyese për Atletico Madridin, që pësoi një humbje dramatike ndaj Getafes me rezultatin 2:1. Skuadra e Diego Simeones ishte në prag të fitores, por gjithçka ndryshoi në minutat e fundit.
Atletico kaloi në epërsi në minutën e 75-të me një gol nga penalltia të shënuar nga Alexander Sorloth. Mirëpo, festa e “Los Colchoneros” nuk zgjati shumë, pasi Getafe reagoi fuqishëm, shkruan 04 Online.
Mauro Arambarri ishte heroi i vendasve, duke shënuar dy herë në fundin e ndeshjes. Fillimisht, në minutën e 88-të ai barazoi shifrat, ndërsa në minutën e 92-të realizoi golin e fitores, duke shpërthyer festën në “Coliseum Alfonso Pérez”.
Situata u rëndua edhe më shumë për Atleticon, pasi Angel Correa u ndëshkua me karton të kuq. Me këtë humbje, ekipi i Simeones pëson disfatën e dytë rresht në të gjitha garat, pas humbjes ndaj Real Madridit (2:1) në Ligën e Kampionëve.
Ky rezultat e largon Atleticon nga gara për titull në La Liga, duke mbetur me 56 pikë, ndërsa Getafe ngjitet në kuotën e 33 pikëve, duke marrë një fitore shumë të rëndësishme pas dy disfatave radhazi./04 Online