Atletico Madrid ka arritur një fitore të thellë ndaj Barcelonës me rezultatin 4-0 në një përballje të ngarkuar me emocione, që ofroi gola, përdorim të VAR-it dhe karton të kuq në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit.
Ndeshja filloi mjaft keq për ekipin katalanas, pasi që në minutën e gjashtë, Eric Garcia dërgoi topin në rrjetën e tij, duke i dhuruar Atletico-s avantazhin. Ekipi vendas vazhdoi të dominonte dhe në minutën e 14-të e dyfishoi epërsinë.
Antoine Griezmann reagoi shpejt brenda zonës dhe realizoi një gol të bukur në këndin e majtë të portës, për të shënuar 2-0.
Barcelona tentoi të reagojë, me Fermin që goditi traversën në minutën e 20-të, por vendasit ishin më konkretë. Në minutën e 33-të, Ademola Lookman shfrytëzoi asistimin e Julian Alvarez dhe realizoi për 3-0.
Në kohën shtesë të pjesës së parë, Alvarez vulosi një 45-minutësh dominues për Atleticon, duke shënuar për 4-0 pas një goditjeje të saktë nga distanca.
Barcelona u përpoq të rikthehej në pjesën e dytë dhe në minutën e 52-të ngushtoi rezultatin.
Pau Cubarsi reagoi më së miri pas një topi të kthyer në zonë dhe realizoi për 4-1. Fillimisht pati dyshime për pozicion jashtë loje dhe këtë e konfirmoi VAR-i duke anuluar golin.
Megjithatë, çdo shpresë për ndonjë gol të blaugranasve u shua në minutën e 86-të.
Fillimisht Eric Garcia u ndëshkua me karton të verdhë për një ndërhyrje të ashpër, por pas rishikimit me VAR, gjyqtari Juan Martinez e përjashtoi drejtpërdrejt me karton të kuq.
Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave në “Camp Nou” do të luhet më datë 3 mars.














































