Një studim i ri ka zbuluar mekanizmin përmes të cilit aspirina mund të ndihmojë në parandalimin e zhvillimit të disa llojeve të kancerit, duke stimuluar sistemin imunitar.
Studiuesit nga Universiteti i Cambridgeit, të udhëhequr nga profesori Rahul Roychoudhuri, kanë zbuluar se aspirina ndihmon në çlirimin e qelizave T, të cilat janë thelbësore për sulmin ndaj qelizave kancerogjene të shpërndara në trup, ka njoftuar webfaqja e Universitetit, cam.ac.uk.
Si ndihmon aspirina?
Studimi ka treguar se aspirina ul prodhimin e një faktori koagulimi të quajtur TXA2, i cili normalisht shtyp aktivitetin e qelizave T. Duke penguar këtë faktor, aspirina lejon sistemin imunitar të sulmojë më mirë qelizat metastazike. Eksperimentet në minj me melanomë kanë treguar se ata që merrnin aspirinë kishin më pak metastaza krahasuar me ata që nuk merrnin.
Studiuesit fillimisht po kërkonin gjenet që ndikojnë në metastazat e kancerit. Ata identifikuan një proteinë të quajtur ARHGEF1, e cila shtyp qelizat T. Kur zbuluan se kjo proteinë aktivizohet nga TXA2, ata kuptuan se aspirina mund të ndihmonte duke ulur këtë faktor.
“Ishte një moment ‘Eureka’”, ka thënë Jie Yang, autori kryesor i studimit.
Rezultatet e këtij studimi pritet të ndihmojnë në përcaktimin e pacientëve që mund të përfitojnë më shumë nga aspirina për të parandaluar zhvillimin e kancerit.
Profesoresha Ruth Langley nga University College London po drejton një provë klinike të quajtur “Add-Aspirin”, për të parë nëse aspirina mund të ndalojë ose vonojë rikthimin e kancerit në fazat e hershme.
Kujdes: Aspirina nuk është e përshtatshme për të gjithë
Në një përqindje të vogël të njerëzve, aspirina mund të shkaktojë efekte anësore serioze, si gjakderdhje ose ulçera të stomakut. Prandaj, para se të fillohet trajtimi me aspirinë, duhet konsultim me mjekun.