Kristjan Asllani është futbollisti i radhës i Interit që ka folur për Scudetton e humbur nga “Nerazzurri”, por edhe për ndeshjen kryesore të vitit që e pret atë me shokë në këtë fundjavë.
Zikaltrit e kishin një mundësi të artë që me një fitore eventuale ndaj Lazios ta merrnin primatin në Serie A dhe më pas me një fitore eventuale në xhiron e fundit të sezonit të shpalleshin kampionë të Italisë.
Por, ata barazuan me “Biancocelesti” dhe gjithçka u prish për përfaqësuesin shqiptar me shokë.
Sidoqoftë, tash futbollistët e Interit po mendojnë për finalen e Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germainit këtë të shtunë.
“Nuk dua të jem gënjeshtar, ka ende dhimbje dhe mërzi për Scudetton e humbur sepse ishte objektivi i ynë që nga fillimi i sezonit. E dimë se si është futbollit, tash e kemi përpara një ndeshje të madhe për të cilën duhet të përgatitemi, do të rifillojmë të punojmë dhe ta studiojmë kundërshtarin. Por, jemi të kënaqur që kemi arritur deri këtu. Kjo është një kupë mjaft konkurruese, është e vështirë të arrish deri në fund. E kemi humbur dy vjet më parë, duhet të hyjmë në fushë me vendosmërinë dhe karakterin e duhur për ta sjell në shtëpi këtë kupë”, deklaroi Asllani për “Sky Sport”, përcjell “Gazeta Express”.
“Natyrisht, ne ndihemi një skuadër e fortë, t’i eliminosh Bayern Munichun dhe Barcelonën ishte gjëja më e vështirë, por edhe e pamundur për ta menduar. Por, e dimë se e kemi bërë një rrugëtim të bukur, duke pësuar pak gola, jemi të kënaqur. Duhet ta shijojmë këtë gjë, tash i kemi këto 4-5 ditë për t’u përgatitur për këtë lojë”, vazhdoi përfaqësuesi shqiptar.
Ai thotë se do ta shfrytëzojë çdo mundësi që do t’i vinte në finalen e Munichut të shtunën mbrëma.
“Kur luan në një skuadër si kjo, me shumë ndeshje, duhet gjithmonë që të jesh i gatshëm. Ka ndeshje kur luan dobët, por jam i kënaqur që i kam këta lojtarë përkrah meje. Ky është një grup i djelmoshave të jashtëzakonshëm, nuk e them këtë vetëm para kamerave. Unë duhet të luaj për shokët e mi sado që të më jepet hapësirë, për krejt atë që e kanë bërë për mua në këto vite”, përfundoi Asllani.