Lautaro Martinez shënoi golin me vlerën e tri pikëve, por heroi i vërtetë i Interit në transfertën ndaj Fiorentinës, ishte padyshim mesfushori i Kombëtares Shqiptare, Kristjan Asllani, pasi të gjithë prisnin me interes për të parë si do t’ia dilte të zëvendësonte një futbollist si turku Calhanoglu.
Pas ndeshjes, Asllani mori sërish vëmendjen e medias, teksa ndër të tjera zbuloi se është më i bindur se kurrë që ka marrë vendimin e duhur për të mos u larguar nga Interi gjatë merkatos.
Më në fund vjen momenti juaj…
Te Interi askush nuk kërkon më shumë hapësira. Të gjithë punojmë dhe është trajneri ai që merr vendimet. Unë kam përpara një mesfushor si Calhanoglu, që është fantastik dhe për më tepër, më qëndron pranë dhe më ndihmon shumë. Më ka këshilluar shumë edhe gjatë kësaj jave.
Me Lautaron duket se kuptoheni mirë dhe sot i dhatë një asist…
Ai është një kapiten i vërtetë, i pari që është gjithmonë gati të më ndihmojë. Më ka qëndruar pranë dhe më ka folur vazhdimisht, edhe gjatë kohës së merkatos. Një kapiten dhe lider i vërtetë, ndaj e falënderoj për atë që bën. Goli ishte diçka e provuar shumë herë në stërvitje dhe më vjen mirë që funksionoi edhe në ndeshje dhe morëm tri pikët.
Çfarë të ka kërkuar Inzaghi në veçanti?
Më ka lënë të qetë gjithë javën, për të mos pasur presion. Nuk ka treguar asnjë vëmendje speciale ndaj meje këtë javë dhe më ka dhënë mundësinë ta përgatis i qetë këtë 90-minutësh e të bëj atë që di më mirë në fushë. Kemi komunikuar shumë me shokët e skuadrës dhe kemi ndihmuar njëri-tjetrin, për të marrë një fitore mjaft të rëndësishme.
Qëndruat te Interi edhe pse kishit për para disa futbollistë shumë të fortë…
Kam dy vite që jam pjesë e Interit dhe jam shumë i bindur që kam bërë zgjedhjen e duhur. Kam futbollistë të shkëlqyer në ekip. Në rolin tim kam Calhanoglu që më ndihmon shumë. Me këta lojtarë mund të përmirësohesh çdo ditë e më shumë dhe të synosh nivele gjithnjë e më të larta./SS