Kristjan Asllani pritet të rikthehet te Interi, pasi Torino po shqyrton seriozisht mundësinë e mbylljes së parakohshme të huazimit të tij, pavarësisht se mesfushori shqiptar ishte aktivizuar si titullar te skuadra “Granata”.
Sipas mediave italiane, drejtuesit e Torinos nuk janë bindur plotësisht nga paraqitjet e përfaqësuesit shqiptar dhe po konsiderojnë largimin e tij që gjatë këtij afati kalimtar.
Në rast se marrëveshja e huazimit ndërpritet, Asllani do të rikthehet te Interi, klub që mban në pronësi kartonin e lojtarit, raporton “Tuttomercatoweb”.
Megjithatë, qëndrimi i tij te “Nerazzurrët” duket i vështirë, pasi konkurrenca e madhe në mesfushë ia kufizon hapësirën për minuta. Për këtë arsye, Interi po shqyrton opsione të tjera, duke përfshirë një huazim të ri ose shitjen përfundimtare të kartonit.
Ndërkohë, interesim konkret për Asllanin ka shfaqur Girona. Sipas raportimeve, klubi spanjoll ka kontaktuar Interin për t’u informuar rreth situatës së mesfushorit shqiptar.
Interi e vlerëson kartonin e Kristjan Asllanit rreth 12 milionë euro, ndërsa mbetet të shihet nëse Girona do të tentojë huazimin apo blerjen e plotë të lojtarit në këtë afat kalimtar./04 Online












































