Asambleja Parlamentare voton sot raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në KiE

0
118

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të votojë rekomandimin për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Një votim i suksesshëm do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, tha se dita e votimit është hapi gjigant drejt anëtarësimit, por nuk është hapi final, sepse hapi final kërkon edhe votën e ministrave të jashtëm.

Kosova bëri një hap para në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatën e të drejtave të njeriut në fund të muajit të kaluar kur Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Europës.

Këtij votimi të suksesshëm i parapriu edhe urdhri i Qeverisë së Kosovës ndaj Kadastrit që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit, duke zbatuar kështu një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Më 27 mars 2024, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Kosovën, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës.

Hapi i radhës do të jetë më 16 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë. Më pas, gjatë muajit maj, trajtohet nga Komiteti i Ministrave, dhe Kosova pret që raporti të miratohet me 2/3 e ministrave të Punëve të Jashtme./Reporteri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here