As te baba, as te burri, as te fëmija, unë kurrë nuk pata shtëpi!

0
218

…Kur isha e vogël mendoja që shtëpia e babait ishte edhe shtëpia ime, kur më pyeste dikush se ku e kam shtëpinë, ia bëja me gisht nga shtëpia e babait.

Por, kur u rrita më treguan se kjo nuk është shtëpia ime. Shtëpia jote është te burri yt.

“Bijë, vajza është e derës huaj”, më ngushëllonte nëna ime.

Por unë nuk e besoja, thoja se e ka vetëm për të më qetësuar; se shtëpia e babit do të jetë gjithmonë edhe e imja dhe ia plasja vajit!

Kur shkova te burri, jetonim të gjithë bashkë dhe për disa vite ende zemra më qëndronte te shtëpia e babait por kur u ndamë dhe secili kunat shkoi në shtëpinë e tij, burri më puthi në ballë dhe më tha: “Grua e dashur, kjo është shtëpia e jonë dhe e bijëve tanë, e gëzofshim!”

I besova buzëve të tij dhe sinqeritetit të tij, sepse asnjëherë nuk më kishte gënjyer, për këtë e shkriva tërë trupin tim duke e mirëmbajtë shtëpinë time.

Kaloi një kohë dhe më vdiq burri e fëmijët u rritën e u bën për martesë.

“Shtëpia ime” e vogël, por që e ngroha me shpirtin tim gjithë këto vite, nuk e donte më askush dhe një ditë bijtë e mi vendosën ta prishin “shtëpinë time” dhe më premtuan se do të ma ndërtojnë një shtëpi më të re, më të bukur dhe më të madhe!

Më rrodhën lotët nga zemra ashtu si dikur kur u ndava nga shtëpia e babait!

U ndërtua “shtëpia ime” e re, ma caktuan dhomën më të vogël, aty ku më shumë loznin nipërit e mbesat sesa që rrija unë.

Por në shtëpinë time të re, tani më, nuk guxoja të flisja, nuk kisha të drejtë të këshilloja e as të propozoja! Më dukej vetja si një cung i vjetër në shtëpi të re, dhe ashtu isha.

Çdo gjë në këtë shtëpi ishte e re, edhe gozhdat ishin më të reja se unë!

Derisa një ditë djali më tha: Nënë, do të dërgoj sot në një shtëpi të re!

Sapo e dëgjova këtë fjali, e kuptova se as kjo shtëpi nuk qenka e imja!

Dhe më solli këtu në “shtëpi të pleqëve” në shtëpi të atyre që kurrë n’jetën e tyre s’kanë pasur shtëpi!

Por nipi kur më vizitoi për herë të fundit më bëri më bëri të qaj kur më tha në vesh: Gjyshe, kur të rritem unë, do ta ndërtoj një shtëpi, ajo do të jetë shtëpia ime dhe shtëpia jote.

E përqafova fort atë dhe i thashë: Biri im, të pastë gjyshja ty, se gjyshja në këtë botë kurrë s’ka pasur shtëpi, por do Zoti më jep një shtëpi në botën tjetër, e do t’i lutem Zotit që të na bashkojë aty, aty ku asnjëherë nuk do t’ketë ndarje e lot./web

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here