Arteta, me shpresat te Saka kundër Realit: Është mirë, por e pres me padurim këtë ndeshje të madhe

0
74

Mikel Arteta beson se Bukayo Saka mund të përmbysë balancën në favor të Arsenalit në përballjen “të bukur” të së martës në çerekfinalen e Champions League kundër Real Madridit.

Saka pritet të luajë ndaj Realit në ndeshjen e parë në “Emirates Stadium”, pasi është rikthyer me dy paraqitje si zëvendësues, pas një mungese tremujore për shkak të dëmtimit.

Trajneri i Arsenalit, Arteta, është i bindur se sulmuesi anglez, i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në muskul, mund të luajë një rol vendimtar për të eliminuar kampionët në fuqi të Realit.

“Tani është në një gjendje shumë më të mirë. E kemi programuar me kujdes këtë rikthim. Luajti 30 minuta kundër Fulhamit dhe 49 minuta ndaj Evertonit. Pas kësaj, do të jetë edhe më në formë.”

Champions League është shansi i fundit për Artetën që të thyejë thatësirën e pesë viteve pa trofe si trajner i Arsenalit, teksa skuadra synon të fitojë për herë të parë në histori kupën me veshë të mëdhenj.

Sezonin e kaluar, Arsenali u eliminua nga Bayern në çerekfinale. Finalja e vetme në histori e klubit në Champions ishte në vitin 2006, përballë Barcelonës.

Pas dy vendeve të dyta radhazi në Premier League në vitet 2023 dhe 2024, topçinjtë duket se nuk do ta fitojnë as këtë herë titullin.

Liverpooli, që kryeson renditjen, është 11 pikë përpara Arsenalit pas barazimit të fundjavës ndaj Evertonit.

Me këtë në mendje, Arteta bëri pesë ndryshime në formacionin ndaj Evertonit për të mbajtur lojtarët e tij të freskët për përballjen evropiane ndaj skuadrës së Carlo Ancelottit.

Arteta e sheh këtë përballje si një mundësi të madhe:

“Është një nga ndeshjet më të bukura që mund të luash në futboll – në kompeticionin më të lartë evropian, kundër ekipit që ka dominuar këtë garë në 20-25 vitet e fundit. Po, mezi po e pres. E dimë me kë kemi të bëjmë.”

Arteta ka një dilemë në mbrojtje për të vendosur se kush do të luajë përkrah William Saliba-s në qendër, pas dëmtimit që i mbylli sezonin Gabriel Magalhaes.

Jakub Kiwior e zuri vendin ndaj Evertonit, por Kylian Mbappé dhe Vinicius Junior do të jenë një sfidë ndryshe krahasuar me Beto dhe Doucouré të Evertonit.

Arteta mund të spostojë Ben White në qendër të mbrojtjes dhe të aktivizojë Jurrien Timber në krahun e djathtë.

Arteta pritet të ketë në dispozicion mesfushorin Mikel Merino, i cili është përdorur si sulmues emergjent pas dëmtimeve të Gabriel Jesus dhe Kai Havertz.

Merino pësoi një plagë të thellë në kokë ndaj Evertonit, por Arteta konfirmoi:

“Është mirë. Kishte një çarje dhe po rridhte shumë gjak në pjesën e parë.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here