Arsimi, kjo nyje që nuk po zgjidhet

0
62

Se partitë politike e kanë shkatërruar arsimin që nga paslufta, këtë besoj e dimë të gjithë dhe se ato, pavarësisht emrit apo ngjyrës, nuk dallojnë në qëndrimin e tyre ndaj arsimit. Në fakt, ngjajnë mes tyre si dy pika uji.

Në kohën kur në Prizren, Lëvizja Vetëvendosje kishte bërë koalicion me Nismën, drejtori i Arsimit ishte nga radhët e kësaj të fundit. Gjatë një konkursi për mësimdhënës, një kandidate, asambleiste nga Nisma, u rendit e para në listë. Më kujtohet mirë kur i shkrova Ministres së Drejtësisë nga VV-ja. Përgjigjja e saj erdhi menjëherë: “Po, drejtori i Arsimit është duke bërë shkelje të rënda.” Brenda 24 orëve, konkursi u anulua dhe drejtori u shkarkua.

Por çfarë ndodhi kur i shkrova asaj më 15 gusht 2021 për parregullsitë që po ndodhnin nga vetë VV-ja? Mes tjerash i pata shkruar: “E nderuar Ministre, konkursi prapë po manipulohet. I madh e i vogël jemi ngritur për ndryshim. Ku është ndryshimi?” Asnjë përgjigje. Vetëm pasi disa dite kur i shkrova se do ta bëja letrën publike, ma ktheu: “I nderuar, nëse mendon se konkursi po manipulohet, drejtohu te organet përkatëse. Unë s’kam mandat të ndërhyj në kompetencat e dikujt tjetër”. E pse, atëherë, patët mandat të ndërhynit kur drejtori vinte nga një parti tjetër?

Pas VV-së, në Prizren, drejtoria e Arsimit kaloi te PDK-ja me premtime për “rend dhe rregull”. Faktet e flasin krejt të kundërtën. Manipulimi vazhdon njësoj. Pikët e esesë dhe intervistës, gjithsej 50, janë në dorë të manipuluesve, të cilët mund t’ia heqin ose shtojnë ato kandidatit, varësisht nga “njeriu i fortë” që ka pas krahëve. Këtë vetë e ka dëshmuar një anëtare e komisionit e cila ishte larguar duke thënë se më kurrë nuk do të bëhej pjesë e këtyre idiotësirave.

E gjithë kjo është e ditur, por askush nuk ankohet. Po çfarë ndodh kur ankohesh? Përballesh me një zhgënjim edhe më të madh. Ankesa të shqyrtohet nga njerëz analfabetë, me dhjetëra gabime të rënda drejtshkrimore. Ku janë inspektorët? Ata, në vend që të ofrojnë zgjidhje, të shikojnë me përbuzje dhe të thonë: “Je në tokë të bukës ti? A e di ku po jetojmë?”

Të gjithë e dimë se ku po jetojmë dhe të gjithë e dime se si shkoi konkursi për inspektorë të rinj. U anulua disa herë dhe prapë u zgjodhën ata për të cilët përflitej se do të zgjidheshin. Si mund të monitorojë një inspektor pa asnjë ditë përvojë pune në arsim, punën e një mësimdhënësi me përvojë 30-vjeçare? Kjo është ironia e madhe e sistemit arsimor. Edhe pse ke dhjetëra trajnime të kryera, nuk të numërohen me arsyetimin absurd se janë të vjetra. Pse duhet të ndjekësh të njëjtat trajnime për të vazhduar licencën? Afati u skadon ushqimeve e jo trajnimeve!

E kam thënë shpesh se arsimi në Kosovë është i lidhur nyje. Kam shpresuar se disa persona me integritet, me vizion, me kapacitet intelektualë dhe moralë do ta zgjidhnin këtë nyje. Por jo. Edhe ata u larguan, duke lënë të kryera fare pak punë të mira.

Prandaj, kam vetëm një kërkesë për qeverinë e ardhshme. Bëjeni arsimin prioritet! Krijoni kushte të mira për arsim! Mbrojeni mësimdhënësin! Kthejani besimin e humbur! Krijoni atij mundësi që të punojë pa pasur frikë prej politikës! Të ketë ku të ankohet kur i bëhet e padrejtë. E, natyrisht, kërkoni prej tij edhe përgjegjësi. Duke e mbrojtur mësimdhënësin, ne mbrojmë të ardhmen e Kosovës, të ardhmen e fëmijëve tanë të cilët, fatkeqësisht, po na ikin çdo ditë…..

Shkruan: Selim Tahiri

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here