Arsenali ka hyrë fuqishëm në garën për transferimin e anësorit të Newcastle United, Anthony Gordon, duke u pozicionuar si favorit për ta siguruar shërbimin e tij gjatë afatit kalimtar veror.
Sipas raportimeve të mediave britanike, “Topçinjtë” shpresojnë ta mbyllin marrëveshjen për rreth 75 milionë funte. Gazetari i The Sun, Charlie Wyett, ka bërë të ditur se klubi londinez aktualisht ka avantazh ndaj rivalëve si Liverpool dhe Manchester United në këtë garë.
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se 25-vjeçari do të ishte i hapur për një kalim në “Emirates”, duke e parë Arsenalin si një hap të madh në karrierën e tij. Londinezët e konsiderojnë Gordonin si një përforcim kyç për repartin ofensiv, me synimin për të rritur konkurrencën dhe alternativat në krahë.
Që prej transferimit nga Everton te Newcastle në janar të vitit 2023, Gordon është shndërruar në një nga anësorët më dinamikë në Premier League. Vetëm këtë sezon ai ka regjistruar 15 gola dhe 5 asistime në 38 paraqitje në të gjitha garat, duke dëshmuar formë të lartë dhe ndikim të drejtpërdrejtë në lojën e skuadrës.
Strategjia e Arsenalit mbetet e qartë: afrimi i lojtarëve të provuar në elitën angleze, të cilët mund të japin kontribut të menjëhershëm në garën për trofe.
Edhe pse ende nuk ka një ofertë zyrtare drejt Newcastle United, vlerësimi prej 75 milionë funtesh shihet si një pikënisje reale për negociata, nëse londinezët vendosin të veprojnë shpejt.
Merkatoja verore pritet të jetë intensive, ndërsa emri i Anthony Gordon po lidhet gjithnjë e më shumë me një transferim të mundshëm në veri të Londrës./04 Online














































