Arsenal po planifikon bisedime të tjera për të transferuar mesfushorin e Bayern Munich, Leon Goretzka, gjatë afatit kalimtar veror, sipas raportimeve nga Gjermania.
Goretzka do të jetë lojtar i lirë këtë verë, pasi Bayern njoftoi muajin e kaluar se 31-vjeçari do të largohet në fund të sezonit kur t’i skadojë kontrata.
Mesfushori i kombëtares gjermane refuzoi një ofertë nga Atlético Madrid gjatë merkatos së janarit, ndërsa Arsenal kishte bërë gjithashtu një interesim të vonshëm.
Megjithatë, ai vendosi të qëndrojë te Bayerni deri në fund të sezonit, pasi skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany është ende në garë për të fituar Bundesliga, UEFA Champions League dhe DFB-Pokal.
Sipas gazetarit Christian Falk nga “BILD”, Arsenal e ka ruajtur interesin dhe do të zhvillojë bisedime të reja për një transferim veror. Ai theksoi se Goretzka është i interesuar të kalojë në Premierligë sezonin e ardhshëm.
“Arsenal trokiti në derë në fund të merkatos së dimrit, por Goretzka kishte vendosur të qëndronte deri në fund të sezonit. Megjithatë, pati bisedime paraprake që të flitej sërish në verë,” u shpreh Falk. Ai shtoi se ka interes edhe nga klube të tjera, përfshirë Tottenham Hotspur dhe skuadra nga Serie A, por Londra dhe Arsenal mund të jenë një destinacion shumë i veçantë për mesfushorin gjerman.














































