Arsenali është plot “yje” që garantojnë të ardhmen., por ka dy liderë të mëdhenj: Mikel Artetën në stol dhe Martin Ødegaardin në fushë. Të dy, dorë për dore, kanë revolucionarizuar skuadrën e “Topçinjve” deri në atë pikë sa kanë mundur të rivalizojnë për titullin me Manchester City-n e Pep Guardiolës.
Mesfushori norvegjez është shndërruar në pikë kyçe e skuadrës dhe për këtë drejtuesit duan ta shpërblejnë me kontratë të re.
Në fillim u “blinduan” Bukayo Saka, Aaron Ramsdale dhe Gabriel Martinelli, ndërsa objektivi të radhës është Martin Ødegaard.
E tillë është harmonia që ekziston mes klubit dhe lojtarit, saqë në paraqitjen para duelit të kësaj fundjave kundër Evertonit, Mikel Arteta foli për negociatat që po zhvillohen.
“Ai është kapiteni ynë, një lojtar i rëndësishëm për ne. Për të tashmen dhe të ardhmen.
Jemi shumë të lumtur që e kemi dhe duam që ai të vazhdojë këtu për një kohë të gjatë. Rinovimi? Unë jam optimist. Jemi shumë afër, kur të konfirmohet, do ta shpallim”, pranoi trajneri spanjoll.
Aktualisht, Martin Ødegaard ka kontratë deri në qershor 2025 me një pagë 115,000 stërlina në javë.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, “Arsenali ka marrë përgjigje pozitive nga Martin Ødegaard dhe ekipi i tij në lidhje me zgjatjen e kontratës. Është çështje kohe që të arrihet një marrëveshje për kontratën e re”./SS