Arsenali po zhvillon një sezon spektakolar, duke konfirmuar veten si një nga skuadrat më dominuese në Evropë dhe favorit serioz në çdo garë ku është i përfshirë. Nën drejtimin e Mikel Artetës, “Topçinjtë” po shkëlqejnë si në aspektin defensiv, ashtu edhe në atë ofensiv.
Statistikat flasin qartë për fuqinë e londinezëve. Arsenali ka mbrojtjen më të fortë në ligë, me mesatare prej vetëm 0.64 gola të pësuar për ndeshje, ndërsa në 83 për qind të takimeve ka arritur të mbajë portën e paprekur – një rekord që dëshmon organizimin perfekt të repartit prapavijë.
Në anën tjetër, sulmi i Arsenalit nuk varet nga një emër i vetëm. Golat shpërndahen mes sulmuesve dhe mesfushorëve, duke e bërë skuadrën të paparashikueshme dhe jashtëzakonisht të vështirë për t’u neutralizuar.
Dominimi vazhdon edhe në Ligën e Kampionëve, ku Arsenali ka fituar të gjitha shtatë ndeshjet e zhvilluara, me bilanc mbresëlënës prej 20 golash të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar. Një statistikë që konfirmon balancën perfekte mes mbrojtjes së hekurt dhe sulmit efikas.
Shtesat e reja kanë sjellë dimension të ri në lojën e ekipit. Viktor Gyökeres po ndikon edhe kur nuk shënon, duke hapur hapësira dhe duke detyruar mbrojtjet kundërshtare të ndryshojnë skema, ndërsa Eberechi Eze po i shton kreativitet dhe fantazi lojës së strukturuar të Arsenalit.
Me këtë formë mbresëlënëse, Arsenali duket më i kompletuar se kurrë dhe plotësisht i gatshëm të luftojë për trofe në çdo front këtë sezon./04 Online














































