Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve si dhe dhunës seksuale ka filluar të ketë rritje shqetësuese në vendin tonë.
Viktimat e këtyre rasteve jo rrallë herë janë edhe vajza të mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur.
Një rast i dhunimit ka ndodhur edhe në Prizren, ku një grua ka denoncuar një rast në stacionin policor se vajza e saj e mitur kishte dalë në takim me një person të rritur dhe se ka dyshime se me të ka pasur kontakt intim.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se dje më 16 shtator është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer rastin e dhunimit ndaj viktimës së mitur femër kosovare.
Rasti është raportuar më 11 shtator rreth orës 13:20 në Prizren.
Ndërkaq, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“DHUNIM / Prizren 11.09.2022 – 13:20. Me 16.09.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka kryer rastin e lartcekur ndaj viktimës së mitur femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.