Një person është arrestuar të shtunën në Prizren, pasi i njëjti dyshohet të jetë përfshirë në krime lufte kundër popullsisë civile në këtë komunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera brenda afatit ligjor.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prizren.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” gjatë viteve 1998-1999 në rajonin e Prizrenit. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.”