Gazeta Sinjali raportoi sot për të shtënat me armë zjarri në fshatin Topliqan në Suharekë, ku disa persona po dyshohen se kanë gjuajtur në drejtim të lokalit me muzikë live ‘Engjulli’.
Incidenti ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme dhe shtatë persona mbetën të lënduar – njëri prej të cilëve u qëllua me armë.
Ndërkaq, pak më parë Policia e Kosovës ka njoftuar se tre persona janë arrestuar nën dyshimet se gjuajtën me kallash në drejtim të objektit të lartcekur.
Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për tre të rinj nga fshati Mushtisht, Alton Asani (rreth 23-vjeçar) dhe Qlirim Sokoli (rreth 22-vjeçar) dhe A.D (rreth 18 vjeçar).
Gjithashtu është gjetur dhe sekuestruar edhe arma që dyshohet se është përdor për kryerjen e veprës.
Nga ky incident një femër është plagosur në këmbë nga plumbi dhe 6 persona të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta trupore nga xhamat.
Shënim: Personat apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.