Arrest shtëpiak prej një muaji për personin që sulmoi gazetarin Vullnet Krasniqi në Prizren

0
268

Gjykata Themelore në Prizren,  ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji, ndaj E.K i dyshuar për sulmin ndaj gazetari Vullnet Krasniqi, të premten e kaluar në Prizren.

Sipas njoftimit, Gjykata me rastin e caktimit të masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

I pandehuri E.K., me datë 11 gusht 2023, rreth orës 14:00., në Prizren, në “Sheshin Shatërvan”, me dashje e sulmon të dëmtuarin V.K., – gazetar, në atë mënyrë që i bashkohet protestës së organizuar, dhe në momentin kur i dëmtuari V.K.,– gazetar gjatë kryerjes së punëve të tija zyrtare merr në intervistë protestuesit, i pandehuri e shtynë gazetarin, pastaj gazetari vazhdon ti intervistoj protestuesit e tjerë ku hasë në rezistencë të protestuesve, me të cilat veprime tek i dëmtuari shkaktojnë shqetësim”, bëhet e ditur në njoftim.

“Nëse i pandehuri e shkel masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtit do të caktohet masa e paraburgimit.
Me rastin e caktimit të arrestit shtëpiak, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar, do të merren në pyetje dy (2) të dëmtuarit, dëshmitarë të tjerë dhe të dyshuar të tjerë eventual, si rezultat i kësaj caktimi i masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin është i nevojshëm dhe i arsyeshëm për të mos penguar rrjedhën procedurale të hetimit, dhe për të siguruar prezencën e të pandehurit në procedurën hetimore.
Nga të lartcekurat Gjykata ka ardhur në konstatim se caktimi i arrestit shtëpiak në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim edhe të parandalimit të përsëritjes së veprës penale”, përfundon njoftimi. /Reporteri.net/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here