Një armë zjarri e ekspozuar në rrjete sociale nga një i mitur ka vënë në lëvizje njësitë policore në Suharekë, duke çuar në sekuestrimin e një arme të gjatë dhe inicimin e një rasti penal për mbajtje të paautorizuar të armëve.
Ngjarja ka ndodhur më 24 dhjetor 2025, rreth orës 16:00, në fshatin Duhel të Suharekës. Njësia e Drejtorisë Kundër Terrorizmit, bazuar në informacione operative, kishte shkuar në shtëpinë e Z.Q., të intervistuar djalin e tij të mitur, 13-vjeçar, pasi ishte identifikuar se i njëjti kishte ekspozuar një armë zjarri në rrjete sociale.
Në vendngjarje janë angazhuar edhe njësitë e Stacionit Policor në Suharekë, ndërsa gjatë kontrollit, hetuesit kanë konfiskuar një armë të gjatë të tipit Zastava M48, kalibër 7.9 mm, pa fishekë.
Sipas deklarimeve të të dyshuarit Z.,Q., arma i përket vëllait të tij, R.Q., i cili aktualisht jeton përkohësisht në Gjermani, por që në Kosovë banon në të njëjtën shtëpi familjare.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit penal për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa rasti po hetohet në procedurë të rregullt.
Hetimet për këtë rast janë në vazhdim./Gazeta Sinjali/














































