“Pushtimi” i platformës IPKO me kanale serbe dhe ato turke, pas heqjes së kanaleve nga Shqipëria, të paketës Digitalb, i ka irrituar shumë klientë të operatorit slloven në Kosovë.
Ndërkohë që përkundër ndryshimeve dhe mos përmbajtjes së marrëveshjes nga ana e tyre, IPKO ka provuar që t’i obligojë abonentët e saj me kontrata që të qëndrojnë klientë të saj duke mos iu ofruar mundësinë e shkëputjes së kontratave. Por, kjo po del se po ndodhë jashtëligjshëm nga ana e operatorit slloven në Kosovë, IPKO.
Dhe për këtë, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare përmes një njoftimi publik u ka bërë të ditur konsumatorëve se “Bazuar në Rregulloren nr. 38 për Kontratat, transparencën dhe publikimin e informatave dhe masave tjera mbrojtëse për përdoruesit fundorë për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, neni 5 (shkëputja e kontratave), paragrafi 2 përcakton që: Parapaguesit duhet të informohen për të gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet e kontratës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve”.
“Në rast të mospajtimit me ndryshimet e kushteve, parapaguesi ka të drejtë që pa asnjë pasojë të shkëputë kontratën”, thuhet tutje në sqarim.
Ky është njoftimi i plotë i ARKEP:
Përmes kësaj komunikate njoftojmë opinionin se ARKEP është organ kompetent për rregullimin e sektorit të komunikimeve elektronike dhe postare. Neni 4, paragrafi 1.32 i Ligjit për Komunikime Elektronike përcakton që:
“Shërbim i komunikimeve elektronike – shërbimi që zakonisht ofrohet me pagesë, i cili përftohet, tërësisht ose pjesërisht, nga përcjellja e sinjaleve përmes rrjeteve të komunikimeve elektronike, që përfshin shërbimet e telekomunikacioneve dhe shërbimet e transmetimit në rrjetet e përdorura për transmetime radio-televizive dhe në rrjetet e televizionit kabllor, por duke përjashtuar shërbimet, të cilat ofrojnë përmbajtje nëpërmjet rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, ose që ushtrojnë kontroll redaksional ndaj përmbajtjes së ofruar për transmetimin, duke përdorur rrjetet ose shërbimet e komunikimeve elektronike. Ai nuk përfshin shërbimet e shoqërisë së informacionit, të cilat nuk përbëhen, tërësisht ose pjesërisht, nga përcjellja e sinjaleve në rrjetet e komunikimeve elektronike.”
Ligji Nr. 04/L-44 për Komisionin e Pavarur të Mediave, neni 3 përcakton që: KPM-ja rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele.
Prandaj, bazuar në dispozitat ligjore të lartcekura, ARKEP nuk është kompetent për përmbajtjen e transmetuar nëpërmjet kanaleve televizive dhe ndryshimet e bëra në platformën e operatorëve.
Në këtë drejtim edhe informatat e qarkulluara së fundmi lidhur me ndryshimin e kanaleve të operatorit IPKO Telecommunications LLC (IPKO), duhet të trajtohen në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive që kanë institucionet tona, si organe të pavarura kushtetuese.
Për më tepër, ARKEP ju njofton se operatori IPKO Telecommunications LLC, përveç që posedon autorizimin për ofrimin e rrjetit dhe shërbimeve publike të komunikimeve elektronike, të lëshuar nga ARKEP, e njëjta posedon licencë për transmetim të lëshuar nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM) dhe si rrjedhojë edhe kontratat me konsumatorët për ofrimin e shërbimeve të Televizionit Digjital Kabllor udhëhiqen bazuar në Rregulloret e miratuara nga KPM (shih kushtet e veçanta të abonimit në shërbimet e ofruara nga IPKO).
ARKEP ka kohë që ka miratuar legjislacionin e nevojshëm së bashku me udhëzuesit për konsumatorët që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në fushën e komunikimeve elektronike.
Bazuar në Rregulloren nr. 38 për Kontratat, transparencën dhe publikimin e informatave dhe masave tjera mbrojtëse për përdoruesit fundorë për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike, neni 5 (shkëputja e kontratave), paragrafi 2 përcakton që: Parapaguesit duhet të informohen për të gjitha ndryshimet e propozuara në kushtet e kontratës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve. Në rast të mospajtimit me ndryshimet e kushteve, parapaguesi ka të drejtë që pa asnjë pasojë të shkëputë kontratën.
Pra, kjo dispozitë zbatohet në raste kur ofruesi i shërbimeve ndryshon kushtet e kontratës në fushën e komunikimeve elektronike (shërbimet e telefonisë mobile, fikse dhe të qasjes në internet), kurse në rastet kur ofruesi i shërbimeve i zbaton kushtet e kontratës dhe konsumatori dëshiron të shkëpusë kontratën, atëherë zbatohen dispozitat e nenit 5.7 te Rregullores, ku përcaktohet që:
“Ndërmarrësi mund të kërkojë kompensimin e dëmit për shkëputjen e parakohshme të kontratës gjatë nëntë (9) muajve të parë, kur kontrata është e lidhur për 12 muaj, respektivisht 12 muajve të parë, kur kontrata është e lidhur për 24 muaj. Shuma e kompensimit të dëmit nuk mund të tejkalon tarifën e parapagimit mujor për periudhën e mbetur prej nëntë (9) respektivisht 12 muajve pas hyrjes në fuqi të kontratës, me përjashtim të rasteve kur përdoruesit fundor i ofrohen pajisje fundore, atëherë zbatohen dispozitat e nenit 9 të Rregullores”.
Bazuar në atë që u tha më lart, ARKEP njofton opinionin se të gjitha ankesat që kane të bëjnë me çështjen e transmetimit të kanaleve televizive të drejtohen tek KPM, si organ përgjegjës për licencimin dhe monitorimin e përmbajtjes së transmetuar, kurse ankesat që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve të telefonisë fikse, mobile dhe qasjes në internet të drejtohen në ARKEP.
ARKEP, në funksion të zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive, të cilat dalin nga Ligji bazë Nr.04/L-109 për Komunikimet Elektronike, në vazhdimësi ka qenë i angazhuar në krijimin e kushteve për rritjen e kualitetit të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve.