Ardon Jashari mbërrin në Milano për t’u zyrtarizuar te Milani

0
75

Ardon Jashari është tashmë vetëm një hap larg zyrtarizimit si futbollist i ri i Milanit. Mesfushori shqiptar zbarkoi mbrëmë në Milano, pas një marrëveshjeje të arritur mes klubit italian dhe Club Brugge, që i hap rrugë transferimit të tij drejt “San Siros”, shkruan 04 Online.

Jashari, 23 vjeç, mbërriti në qytetin e modës rreth orës 23:00 dhe u prit ngrohtësisht nga disa tifozë kuqezi dhe media lokale, të cilët e përshëndetën me entuziazëm ardhjen e tij. “Shumë i lumtur, shumë i lumtur,” ishin fjalët e para të futbollistit shqiptar sapo preku tokën italiane.

Milani ka mposhtur konkurrencën e fortë për shërbimet e Jasharit, pas një beteje që zgjati rreth dy muaj. Sipas raportimeve, vlera totale e transferimit kap shifrën e 39 milionë eurove, përfshirë bonuset, ndërsa lojtari pritet të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare me pagë vjetore prej 2.5 milionë eurosh.

Në orët e para të mëngjesit, Jashari do t’i nënshtrohet testeve mjekësore përpara se të hedhë firmën në kontratën që do ta bëjë pjesë të gjigantit italian.

Ky transferim përfaqëson realizimin e një ëndrre të hershme për mesfushorin shqiptar, i cili refuzoi oferta të tjera nga klube të njohura evropiane vetëm për të veshur fanellën e Milanit, klub që e ka admiruar që në fëmijëri.

Milani, me këtë goditje të merkatos, synon të forcojë më tej repartin e mesfushës në prag të sezonit të ri./04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here