Ardhja e mërgimtarëve – pritje një orëshe në Merdarë për hyrje në Kosovë, kolona e veturave 300 metra

0
961

Ardhja e mërgimtarëve në Kosovë për pushimet e verës, ka rritur dukshëm numrin e automjeteve në pikat kufitare.

Sipas Ministriasë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Qendra e Menaxhimit të Kufijve, në pikën kufitare Merdarë, pritja për të hyrë në Kosovë mbërrin deri në 50 minuta ndërsa kolonat janë të gjatë deri në 300 metra.

Në pikën tjetër kufitare, atë të Dheut të Bardhë, pritjet janë deri në 20 minuta ndërsa nuk është raportuar për kolona të veturave.

Ndëkraq në pikat e tjera kufitare sipas Qendrës janë kryesisht të qeta dhe nuk kanë pritje të gjata dhe kolona.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ka lehtësuar disa procedura për mërgimtarët.

Teksa u ka uruar mirëseardhje në Kosovë, Qeveria i ka njoftuar se policat kufitare tashmë mund t’i paguajnë edhe online.

Po ashtu, ka njoftuar se edhe këtë vit do të mbulojë koston e policës kufitare për bashkatdhetarët.

Tutje, përmendet edhe kalimi i lehtësuar nëpër pikat kufitare me Shqipërinë, pa kolona e pa ndalesa, qasja online për nxjerrjen e dokumenteve në platformën e-Kosova dhe shërbime të Telekomit në të gjitha hyrjet në Kosovë.

Sa i përket udhëtimit ajrorë, sipas Zyrës për informim të ANP-së, në korrik të vitit 2021, ishin realizuar 1,327 fluturime me 221,728 udhëtarë në ardhje dhe 118,477 në shkuarje.

Duhet theksuar se mërgata vazhdon të jetë njëri nga burimet kryesore të financimit të shpenzimeve familjare në Kosovë.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovë tregojnë se gjatë gjashtë mujorit të vitit 2021, diaspora ka dërguar 117.5 milionë euro më shumë sesa viti 2020.

Për këtë periudhë, në vendin tonë u sollën 552 milionë euro, kurse një vit më herët kjo vlerë ishte 434.5 milionë euro, pra 113.3 milionë euro më shumë.

Banka Botërore thotë se që nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë janë dërguar rreth 13 miliardë euro.

Sipas BB-së, pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është rreth 20 për qind. /Telegrafi/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here