Janari pritet të hapë një kapitull të ri në karrierën e Arbër Hoxhës, i cili është futur fuqishëm në orbitën e futbollit anglez. Anësori i Kombëtares shqiptare dhe Dinamo Zagrebit po ndiqet nga Sheffield United dhe Hull City, dy skuadra nga EFL Championship që kanë shfaqur interes konkret për 27-vjeçarin, shkruan 04 Online.
Sipas Sportsboom, të dy klubet janë duke përgatitur ofertat e para për merkaton e dimrit. Paraqitjet e shkëlqyera të Hoxhës, si me Dinamon ashtu edhe me Kombëtaren, e kanë rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg. Sheffield United shihet si favorit i lehtë falë mundësive më të forta financiare që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në negociata.
Nga ana tjetër, Hull City ka një avantazh të rëndësishëm: trajnerin Sergej Jakirovic. Kroati ka punuar më herët me Hoxhën në Dinamo Zagreb, periudhë gjatë së cilës lojtari regjistroi 4 gola dhe 3 asistime në 31 paraqitje. Jakirovic ka tentuar ta transferojë edhe më parë dhe tashmë synon të rikthejë bashkëpunimin e suksesshëm në Angli.
Edhe pse Dinamo Zagreb nuk e ka nxjerrë zyrtarisht në shitje futbollistin – sidomos pas rinovimit të kontratës deri në vitin 2029 – paga e tij relativisht e ulët, rreth 500 mijë euro në vit, e bën Hoxhën një objektiv të përballueshëm për klubet angleze.
E ardhmja mbetet e hapur, por një gjë është e sigurt: Arbër Hoxha është një nga emrat më të përfolur të merkatos së janarit dhe interesi për të vetëm sa po rritet./04 Online














































