Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj thotë se po zhvillojnë hetimeve për organizimin e dorëheqjeve të policëve në veri. Ai bën të ditur se tashmë të gjitha dorëheqjet janë aprovuar nga Policia e Kosovës, për shkak të kalimit të afatit 30 ditor. Hodaj ka paralajmëruar inicimin e procedurave ndaj ish-zyrtarëve, pasi jo të gjithë kanë dorëzuar pajisjet.
Hodaj thekson se ka pasur edhe presione ndaj policëve serbë për të dhënë dorëheqje.
“Procesi i dorëheqjes apo aprovimi i dorëheqjes është një proces administrativ që zhvillohet në kuadër të Policisë së Kosovës. Mirëpo, ne kemi zhvilluar hetime dhe po zhvillojmë hetime sa i përket përgjegjësve që kanë organizuar mënyrën e organizuar të dorëheqjeve dhe presionit në disa raste që iu është bërë zyrtarëve policorë që të detyrohen të japin dorëheqje. Pasi kanë kaluar të gjitha afatet ku parashihet aprovimi i dorëheqjes prej momentit që paralajmëron dorëheqjen. Sigurisht që Policia na ka njoftuar që të gjitha dorëheqjet tashmë janë aprovuar për shkak të kalimit të afatit 30 ditor dhe tash shumica prej tyre nuk janë më pjesë e Policisë së Kosovës formalisht”, deklaron Hodaj.
Po ashtu, ai thekson se ka raste që përveç uniformës dhe armëve, nuk janë dorëzuar edhe pajisjet tjera të Policisë së Kosovës.
“Sigurisht që shumica e tyre i kanë dorëzuar pajisjet zyrtare të përfshira armë dhe pajisje të tjera. Ka raste, mund të ketë raste ku nuk janë dorëzuar të gjitha pajisjet dhe për këto raste do të iniciohet procedurë për shfrytëzim të pronës zyrtare shtetërore. Sigurisht që Policia e ka listën dhe e ka informacionin dhe do të iniciojë rast për secilin prej tyre, i cili nuk e ka dorëzuar pronën e institucioneve”, shton kryeshefi i IPK-së.
Hodaj sqaron se për këtë policia i ka regjistrat e ish-policëve serbë të cilët nuk kanë bërë një gjë të tillë.
“Ka informacione se jo të gjitha pajisjet janë dorëzuar, kryesisht armët janë dorëzuar me sa e di prej shumicës. Mirëpo, kjo është një pjesë që Policia e Kosovës i ka regjistrat dhe i ka informacionet më të sakta për shkak se i ka pranuar kërkesat për dorëheqje dhe i ka aprovuar dorëheqjet bazuar në procedurën që rregullon këtë çështje”, përfundon Hodaj.
Muajin e kaluar, policë, gjyqtarë e punëtorë administrativë kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre për të kundërshtuar vendimin për targat. Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet u bënë pas suspendimit nga puna të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq. / KSP