Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me heqje lirie për të akuzuarit Ahmet dhe Milazim Ferati, të cilët akuzoheshin për shitblerje të narkotikëve, raporton Gazeta Sinjali.
Nga Gjykata e Apelit bëjnë me dije për Sinjalin se Ahmet Feratit i është vërtetuar dënimi i shqiptuar në shkallën e parë me gjashtë vjet heqje lirie dhe me 1 mijë euro gjobë.
“Të akuzuarit A.F., për veprën penale të përshkruar sikurse në pikën I të dispozitivit të aktgjykimit, me dënim me gjobë në shumën prej 1000€ (njëmijë) Euro dhe me dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) vite, në të cilën dënim llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej dt.03.06.2022, e gjerë në përfundim të mbajtjes së dënimit të shqiptuar me burgim”, thuhet në përgjigjen e Apelit për Sinjalin.
Po ashtu, të akuzuarit tjetër, Milazim Feratit, i është vërtetuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh dhe 600 euro gjobë.
“Të akuzuarit M.F., për veprën penale të përshkruar sikurse në pikën II të dispozitivit të aktgjykimit, me dënim me gjobë në shumën prej 600 (gjashtëqind) Euro, dhe me dënim me burg në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej dt.03.06.2022, e gjerë në përfundim të mbajtjes së dënimit të shqiptuar me burgim”, thanë nga Gjykata e Apelit.
Në anën tjetër janë refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe të mbrojtjes së të akuzuarve.
“Prokuroria Themelore në Prizren, për shkak të vetëtimtit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit për dënimin, duke propozuar që aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, P.nr.19/23, i dt.12.05.2023, të ndryshohet ashtu që çështjen penale ta kthen në rigjykim e vendosje,
-mbrojtësi i të akuzuarit A.F., av. Esat Gutaj, për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal, duke propozuar që çështja penale të anulohet dhe ti kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim e vendosje, si dhe
-mbrojtësi i të akuzuarit M.F., av.Rinard Pulaj, për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal, dhe vendimeve të tjera, duke propozuar që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të ndryshohet dhe të akuzuarit M.F., ti shqiptohet dënim më i butë dhe ti kthehet automjeti i tipit “Audi A6”, me tabela regjistrimi AB146FR, me ngjyrë hiri, si dhe çelësat, dhe VRD184064, pronë e babait të tij O.F.., ngase nuk ka bazë për konfiskimin e tij.
Po ashtu përgjigje në ankesë të prokurorisë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit A.F.,
av.Esat Gutaj, duke propozuar që aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, P.nr.19/2023, i dt.12.05.2023, të vërtetohet dhe i njëjti të bëhet i plotfuqishëm, që rezulton se ankesa e prokurorisë duhet refuzuar, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit M.F.., av.Rinard Pulaj, duke propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren, kurse aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, P.nr.19/23, i dt.12.05.2023, të ndryshohet ashtu që të vendoset sipas pretendimeve nga ankesa”, thuhet më tej në përgjigjen e Gjykatës së Apelit.
Kujtojmë se me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, janë shpallur fajtorë vëllezërit Ferati për shkak të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shita e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Ata ishin arrestuar më 3 qershor të vitit 2022 pasi Njësia e Antidrogës në Policinë e Kosovës ka zhvilluar një operacion të koduar ‘Dardha’ në fshatin Tupec të komunës së Prizrenit, ku u konfiskuan mbi 93 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë./Gazeta Sinjali/