Gjykata e Apelit ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Bajram Velija, avokatit Orhan Rekathati, në lidhje me vendimin mbi dënimin, ku për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, ia ka shqiptuar dënimin prej 25 vitesh.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prizren e kishte dënuar me burgim të përjetshëm Bajram Velijajn, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes, A.A me 14 plumba në gusht të vitit 2019.
Sipas vendimit të Apelit, kolegji i kryesuar nga gjykatësja Afërdita Bytyçi, ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren të datës 01.10.2021, ashtu që për veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve, për të cilat është shpallur fajtor Bajram Velija, i shqiptohet dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 25 vjetësh, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 06.08.2019.
Kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren ankesë kishte paraqitur mbrojtësi i të dënuarit, avokati Orhan Rekathati nga Prizreni.
Po ashtu fakti se i akuzuari Bajram Velija është baba i tre fëmijëve, është i moshës relativisht të vjetër, është penduar dhe ka kërkuar falje publike, janë marrë si rrethana lehtësuese.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 28 shkurt 2020, Bajram Velija akuzohet se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes, bashkëshorten e tij, A.A.
Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri merr një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë shtie 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.
Pas kryerjes së këtij veprimi, i pandehuri bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë. /BetimipërDrejtësi