Për shkak se mbrojtësja e të akuzuarit Iran Badalli, avokatja Emira Gavazaj- Gashi ka bërë ankesë kundër vazhdimit të masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit të saj dhe se lënda gjendet ende në Gjykatën e Apelit, është anuluar seanca e paraparë të mbahet të mërkurën, ndaj të Badallit dhe të akuzuarit tjetër Arben Gashi.
Anulimin e seancës, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, anëtarja e trupit gjykues, Kimete Kicaj.
“Lënda është ende në Apel, ka shkuar sipas ankesës për vazhdimin e paraburgimit nga avokati i Iran Badallit dhe ende nuk është kthyer”, tha gjykatësja Kicaj.
Ndryshe, sipas dispozitivit i të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të akuzuarit Iran Badalli dhe Arben Gashi akuzohen se me anë të eksplozivit kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, që ka rezultuar me vdekjen e një personi, lëndimeve të rënda dhe të lehta trupore të personave të tjerë.
Sipas aktakuzës, dy të pandehurit nga fillimi i muajit janar 2020 në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të II të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli në fshatin Zhur, Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor Sami Thaçi, kurse policët tjerë të njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasor, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi kanë ka pësuar lëndime të rënda trupore si dhe fëmija S.B po ashtu ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, në dispozitivit II të aktakuzës thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar ngjashëm si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi