Liga Premier do të ketë së paku pesë skuadra në Liga e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi ka siguruar për të dytin vit radhazi një vend shtesë përmes Performancës Europiane (EPS).
Ky vend ekstra u vulos pas fitores 1-0 të Arsenal ndaj Sporting CP në ndeshjen e parë çerekfinale, rezultat që përforcoi edhe më shumë pozitën e Anglisë në renditjen e koeficientëve të UEFA.
UEFA shpërblen ligat me performancën më të mirë në garat evropiane me vende shtesë në Ligën e Kampionëve, ndërsa Liga Premier ka dominuar gjatë pjesës më të madhe të këtij sezoni. Plot nëntë klube angleze arritën në fazën me eliminim direkt, duke krijuar një avantazh të madh falë rezultateve të qëndrueshme.
Si rrjedhojë, skuadra që përfundon në vendin e pestë në Ligën Premier tashmë e ka të garantuar një biletë për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në edicionin 2024/25, kur përfitoi Newcastle United.
Gara për këtë pozitë mbetet shumë e fortë. Aktualisht, Liverpool renditet i pesti, i ndjekur nga Chelsea, ndërsa në lojë janë edhe Brentford, Everton, Fulham, Brighton & Hove Albion, Sunderland, Newcastle United dhe Bournemouth.
Nëse Aston Villa ose Liverpool fitojnë një trofe evropian dhe përfundojnë jashtë katër vendeve të para, Liga Premier mund të ketë gjashtë ekipe në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Në një skenar edhe më ekstrem, nëse të dyja këto skuadra fitojnë trofe dhe renditen në vendin e pestë dhe të gjashtë, atëherë edhe vendi i shtatë mund të sigurojë kualifikim. Ndërkohë, edhe Nottingham Forest mund të ndikojë në këtë skemë nëse triumfon në Liga e Evropës, duke e çuar potencialisht në gjashtë numrin e ekipeve angleze në Ligën e Kampionëve.













































