Kosova nuk mund të llogarisë se i ka votat e sigurta në Këshillin Ministror të Këshillit të Evropës vetëm për faktin se 34 vende anëtare e kanë njohur pavarësinë. Burimet diplomatike të disa vendeve anëtare që e mbështesin Kosovën tërheqin vërejtjen se, me sugjerime të QUINT-it, mund të shtyhet votimi dhe të mos zhvillohet në muajin maj. Kjo do ta shtynte votimin së paku për një vit. Lihtenshtajni, që ka kryesimin e radhës, sipas këtyre burimeve dëshiron të sigurohet se janë votat në favor të anëtarësimit para se ta vendosë në agjendë të takimit të majit. Dhe kjo varet nga qëndrimi i QUINT-it.
Procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës po avancon dhe javën që vjen më saktësisht më 16 prill, dritën e gjelbër për këtë pritet ta japë edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Pasi më herët është miratuar raporti i raportueses Dora Bakoyannis, me të cilin jepet mendimi pozitiv për të pranuar Kosovën në Këshillin e Evropës, gjasat janë të mëdha që shumica e nevojshme prej dy të tretave të sigurohet edhe në këtë takim të Asamblesë Parlamentare. Edhe pse asgjë nuk duhet të merret si vetvetiu e garantuar, gjasat janë që do të kalojë me sukses ky votim. Por më pak i sigurt është votimi në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës që zhvillohet në mes të muajit maj. Fakti se akoma nuk është vendosur në agjendë të këtij takimi ministror pranimi i Kosovës nuk do të thotë asgjë, kjo sepse Këshilli i Ministrave nuk mund ta vendosë formalisht në agjendë pa kaluar votimi në Asamblenë e Përgjithshme. Sikur ta vendosnin në agjendë pa miratimin e raportit në Asamblenë Parlamentare, do të paragjykonin vendimin e saj, gjë që, edhe nëse mund të parashikohet, nuk do të shihej se akt respekti.
Por, janë shtuar ditëve të fundit zërat nga burimet diplomatike në vendet anëtare që tërheqin vërejtjen se mund të ndodhë shtyrja e votimit, apo edhe të rrezikohet që Kosova të mos marrë votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Sipas këtyre burimeve, “krejt kjo varet nga qëndrimi i QUINT-it“. “Nëse QUINT-i mbështet anëtarësimin, atëherë kjo pritet të vendoset në rend dite dhe në atë rast edhe mund të sigurohen 31 votat sa janë të nevojshme për ta pranuar Kosovën. Por nëse nga QUINT-i vjen ndonjë mesazh jo i mirë atëherë gjithçka ndryshon. Dhe në atë rast ose do të shtyhet ose do të rrezikohet arritja e shumicës së nevojshme prej dy të tretave të votave“, kanë thënë për KOHËN burimet diplomatike nga shtete të ndryshme anëtare të Këshillit të Evropës.
Disa nga këta diplomatë madje thonë se “nuk e kuptojnë se çfarë loje është duke luajtur QUINT-i“, sepse nuk i ka informuar në detaje për qëndrimet që ka.
Nuk është sekret se dyshimet që i ka dhe i ka nxitur te të tjerët QUINT-i rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kanë të bëjnë me nisjen e procedurës së themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
Disa burime diplomatike perëndimore kanë thënë se në takimin e fundit që ambasadorët e QUINT-it kanë pasur me tre liderët institucionalë të Kosovës (presidenten, kryetarin e Parlamentit dhe kryeministrin) “gojarisht ua kanë përcjellë një demarsh me kërkesë që së paku ta dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draftin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe“. Edhe pse ka pasur pritje që ky demarsh të dorëzohet me shkrim, ai thuhet se është përcjellë me gojë. Diplomatët druajnë se mungesa e reagimit pozitiv nga ana e Kosovës do të mund të rezultonte me mungesën e mbështetjes së QUINT-it për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. “Kjo do të na sillte në një situatë të panjohur dhe të paparashikueshme. Sepse ka vende që e kanë njohur Kosovën dhe që e mbështesin anëtarësimin në Këshillin e Evropës, por do të ndryshonin qëndrimin nëse marrin sinjal nga QUINT-i“.
Sipas këtyre burimeve, Kosova nuk mund të llogarisë se i ka votat e sigurta në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës vetëm për faktin se 34 vende anëtare e kanë njohur pavarësinë. Këto burime diplomatike, që vijnë nga disa vende anëtare që e mbështesin Kosovën tërheqin vërejtjen se me sugjerime të QUINT-it, mund të shtyhet votimi dhe të mos zhvillohet në muajin maj. Kjo do ta shtynte votimin së paku për një vit sepse Këshilli i Ministrave të Jashtëm ka takime të rregullta vetëm një herë në vit. Për të pranuar një vend të ri anëtar mund të votohet edhe në nivele të tjera në Këshillin e Evropës nga përfaqësuesit e vendeve anëtare, si nga ambasadorët, por në atë raste do të duhej votim unanim, që është në rastin e Kosovës e pamundur. Lihtenshtajni, që ka kryesimin e radhës, sipas këtyre burimeve dëshiron të sigurohet se janë votat në favor të anëtarësimit para se ta vendosë në agjendë të takimit të majit. Dhe kjo varet nga qëndrimi i QUINT-it.
“Nuk besoj se QUINT-i do të votonte kundër. Dhe nuk besoj se QUINT-i do të ftonte vendet që të votojnë kundër. Sepse kjo do të ishte disfatë e madhe për vetë QUINT-in. Por edhe nga vendet e QUINT-it po na vijnë sinjale të ndryshme sepse janë dy vende që angazhohen më shumë në favor, dy që janë pothuajse kundër, ndërsa veprimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë shumë enigmatike“, i ka thënë KOHËS një diplomat i një vendi perëndimor.
Madje disa diplomatë kanë thënë se edhe deputetëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe atyre nga vendet që e kanë njohur Kosovën, nga ministritë e tyre përkatëse po u vijnë rekomandime që të votojnë kundër edhe në Asamble. Prandaj mund të ndodhë që jo të gjithë deputetët që vijnë nga vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të votojnë në favor. Por në anën tjetër votimi bëhet edhe në bazë të marrëveshjeve në grupet parlamentare të partive politike. E këtu Kosova e ka mbështetjen e grupimeve kryesore si Partia Popullore Evropiane, Socialistët, Liberalët dhe të Gjelbërit, e deri diku edhe nga Konservatorët. Por, edhe ata që vijnë nga vendet që nuk e njohin Kosovën mund të votojnë kundër. Përkundër kësaj gjasat janë të mëdha që parlamentarët ta miratojnë vendimin sepse llogariten vetëm votat e atyre që janë prezentë në takim e jo 2/3 e tërë Asamblesë. Për dallim nga kjo në Këshillin e Ministrave Kosovës i duhen 31 vota nga 46 vende anëtare.
Diplomatët me të cilët ka biseduar KOHA ditëve të fundit thonë se nëse ndodhë që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës, “kjo nuk do të ishte rezultat i angazhimeve të Serbisë por pasojë e qëndrimeve të QUINT-it“. Megjithatë të njëjtat burime thonë se nuk e kanë të qartë pse BE-ja nuk ka reaguar më ashpër ndaj veprimeve të Serbisë që të punojë aktivisht drejt parandalimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. “Së paku BE-ja është dashur të thotë qartë dhe publikisht se kjo shkel marrëveshjen”, ka thënë një diplomat.
Në rast të dështimit të përpjekjeve për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë e paqartë se çfarë do të ndodhë pastaj. Nuk ka përgjigje në pyetjen se çfarë do të nënkuptonte votimi në të cilin Kosova nuk do të siguronte votat e mjaftueshme në Këshillin e Ministrave. A do të nënkuptonte kjo edhe fundin e procesit, apo do të duhej të përsëritej në të ardhmen votimi, apo si të veprohej? Prandaj më real duket opsioni sipas së cilit, me sugjerim të QUINT-it, do të shtyhej votimi për të evituar situata të pakëndshme. Në rast se QUINT-i do ta mbështeste votimin atëherë gjasat janë të mëdha që Kosova në mesin e majit të pranohet si anëtare e 47 e Këshillit të Evropës.
Bashkimi Evropian po bën përpjekje për të lënë përshtypje se “nuk përzihet në këtë punë“ dhe po rri anash sepse “Këshilli i Evropës nuk ka lidhje me Bashkimin Evropian“. Por në anën tjetër nuk reagon ndaj sjelljeve të Serbisë e cila shkel marrëveshjen, qëllimi i së cilës ka qenë edhe integrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare e që Serbia të mos e kundërshtojë këtë. Në BE vetëm kanë frikë se si do të reflektojë kjo në vazhdimin e dialogut.