Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti e ka ngritur në qiell me lëvdata lojtarin e tij, Vinicius Junior.
Ylli brazilian ishte i jashtëzakonshëm mbrëmë, mbi të gjitha në pjesën e dytë, duke ia siguruar Realit fitoren me përmbysje ndaj Borussia Dortmundit me rezultat 5:2, në ndeshjen e vlefshme për fazën e ligës në Ligën e Kampionëve.
24 vjeçari e gjeti tregolëshin e parë në karrierë në Champions, ndërsa mori lavde nga të gjitha anët, pak ditë para ceremonisë së ndarjes së Topit të Artë, ku është favorit absolut.
“Është e pazakontë ta shohësh një lojtar ta ketë një pjesë të dytë të tillë. Është e çuditshme ta shohësh këtë tash, apo edhe në të kaluarën. Ai solli energji, intensitet, karakter. Ishte një paraqitje e jashtëzakonshme. Ai mund ta bëjë diferencën. Është i respektuar në këtë shtet. Ai po ndihmon në çështjen e reduktimit të racizmit, është mjaft i respektuar”, deklaroi fillimisht trajneri italian për faqen zyrtare të klubit, përcjell “Gazeta Express”.
“Vinicius Junior do ta fitojë Topin e Artë, por jo për atë që e bëri sonte. Do ta fitojë për atë që e ka bërë përgjatë vitit të kaluar, duke na ndihmuar që ta fitonim Ligën e Kampionëve. Këta tre gola do ta ndihmojnë apara Topit të Artë”, u shpreh tutje “Don Carlo”.
Vinicius Junior i ka shënuar tetë gola në këtë fillim sezoni, ndërsa ka qenë lojtar mjaft i rëndësishëm tek Reali në sezonet e fundit.