Carlo Ancelotti është i vendosur ta vazhdojë eksperiencën në Real Madrid, përkundër spekulimeve të fundit se mund të largohet nga “Santiago Bernabeu” në fund të këtij sezoni.
Madje, trajneri italian e ka bërë një krahasim interesant, duke nënvizuar se do të donte të qëndrojë në Madrid njëjtë sa Florentino Perezi, i cili së fundmi u rizgjodh president i klubit, shkruan “Gazeta Express”.
“Dua të jem mjaft i qartë: unë nuk do të jem kurrë i pari që do të vendosë kur do të largohem nga Real Madridi, nuk më takon mua kjo punë.”
“Unë absolutisht nuk kam vendosur të largohem nga Real Madridi. Shpresoj të rri këtu edhe katër vjet, njëjtë sa presidenti Florentino Perez, i cili u rizgjodh së fundmi.”
“Kjo do të ishte perfekte për mua, pasi një lamtumirë e madhe mund të bëhej së bashku me Florentino Perezin, për t’u përshëndetur me klubin në vitin 2029.”
Ish-trajneri i Juventusit, Milanit, Chelseat, Paris Saint-Germainit, Bayern Munichut, Evertonit e Napolit është duke e kaluar eksperiencën e dytë në Madrid dhe në të dyja radhët ishte mjaft i suksesshëm.
Në sezonin e fundit fitoi gjithçka që është e mundshme, ndërsa synon ta ketë një vit të suksesshëm edhe në 2025.