Carlo Ancelotti, trajneri me përvojë i Real Madridit, nuk ka ndërmend të largohet nga “Los Blancos”, pavarësisht eliminimit të dhimbshëm nga Liga e Kampionëve dhe presionit në rritje nga tifozët për një ndryshim në stol, shkruan 04 Online.
Sipas burimeve të besueshme si “Relevo” dhe “The Athletic”, trajneri italian nuk planifikon të japë dorëheqjen, duke preferuar të qëndrojë deri në përfundim të kontratës së tij, e cila skadon në verën e vitit 2026.
Eliminimi nga Arsenali në çerekfinale të Champions League ka ndezur pakënaqësinë në “Santiago Bernabéu”, ku një pjesë e tifozëve tashmë kërkojnë largimin e Ancelottit. Megjithatë, vendimi final mbetet në duart e presidentit Florentino Pérez – vetëm ai mund të vendosë për shkarkimin e trajnerit legjendar.
Në anën tjetër, mediat spanjolle dhe ndërkombëtare po raportojnë se Ancelotti mund të shkarkohet menjëherë pas finales së Copa del Rey, në varësi të rezultatit dhe atmosferës së krijuar rreth skuadrës.
Për momentin, Ancelotti është i vendosur të mbajë drejtimin e skuadrës dhe të përmbushë projektin e tij, duke synuar të mbyllë ciklin e tij te Real Madridi me dinjitet dhe trofe.
A do ta lejojë Perez që trajneri italian të vazhdojë deri në 2026, apo fundi është më afër se kurrë? Mbetet për t’u parë pas finales së madhe./04 Online