Njohës të rrethanave politike në vend vlerësojnë se duke pasur parasysh situatën në veri të vendit, nuk mund të këtë së shpejti marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç po proklamohet deri në mars të vitit të ardhshëm. Të njëjtit vlerësojnë se s’do të këtë marrëveshje politike pa kompromise nga të dy palët.
Kryeministri Albin Kurti ka përmendur marsin e 2023 si kohën kur mund të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u bazuar në planin franko-gjerman. Por nuk janë dhënë detaje se për çfarë marrëveshje konkrete bëhet fjalë. Njohës të rrethanave politike në vend vlerësojnë se me gjithë insistimin e bashkësisë ndërkombëtare është e vështirë që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje deri në mars. Dorajet Imeri, për Radio Kosovën ka theksuar se Serbia po e shfrytëzon edhe situatën aktuale në veri për të shtyrë një marrëveshje potenciale.
“Situata në veriun e Kosovës mund të përdoret si mekanizëm nga ana e Serbisë, për të shtyrë një marrëveshje potenciale. Por, çka është më e rëndësishme palët me gjasë janë dakorduar se duhet të kornizohet dialogu. Sepse nuk mund të negociohet pambarimisht duke mos prodhuar një zgjidhje, pasi edhe ky është një qëndrim i qartë që Serbia e ka ndjek nga dita e parë, pra që ta mbajë peng procesin e përmbylljes së dialogut Kosovë-Serbi”, ka thënë Imeri.
Demush Shasha, nga Instituti “Epik”, ka thënë se deri me tani dihet shumë pak për planin franko-gjerman, por ajo çka dihet, nënkupton se më shumë i konvenon Kosovës. Por Shasha theksoi se nuk do të këtë marrëveshje pa kompromise.
“Nuk do të këtë asnjë marrëveshje të rëndësishme politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa kompromise. Pra, edhe Kosova edhe Serbia do t’u duhet të bëjnë kompromise”, ka deklaruar Shasha.
Javë më parë i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak, ka sjell në Kosovë dhe Serbi planin franko-gjerman në forme të përditësuar, por nuk janë dhënë detaje, dhe nuk dihet ende nëse në këtë dokument parashihet edhe marrëveshja e marsit të cilën po e përmend kryeministri Albin Kurti.