Në vendet ku industria e karkalecave të detit është e rëndësishme, një hetim ka gjetur se shumë nga punonjësit kryejnë punë të papaguar ose të paguar pak gjatë orareve më të gjata. Ka pasiguri në paga, ndërsa tarifat luhaten dhe se shumë fitojnë më pak sesa paga minimale. Raporti gjithashtu ka gjetur kushte të rrezikshme të punës, sidomos në Indi dhe në disa pjesë të Indonezisë, e madje edhe fëmijë të përfshirë në punë në disa pjesë të Indisë.
Fermeri indonezian, Yulius Cahyonugroho ka operuar më shumë se 20 pellgje para disa viteve, duke punësuar shtatë punonjës dhe duke fituar mjaftueshëm për ta mbështetur familjen e tij.
Që atëherë, 39-vjeçari thotë se çmimet që merr nga blerësit kanë rënë përgjysmë dhe i është dashur të pushojë nga puna katër punonjës dhe të thajë një të tretën e pellgjeve, pa pasur mjaftueshëm para për disa muaj. Gruas së tij i është dashur të fillojë të punojë në një fermë të shalqinjve për të pasur para për fëmijët e tyre.
“Është punë më e qëndrueshme se fermat e karkalecave të detit”, ka thënë fermeri nga provinca qendrore e Javës së Indonezisë.
Ndërsa supermarketet e mëdha perëndimore bëjnë profite të papara, përdorimi i çmimeve më të ulëta me shumicë po u shkakton mjerim njerëzve në fund të zinxhirit ushqimor – njerëzve si Cahyonugroho që prodhojnë dhe procesojnë ushqimin e detit, thuhet në një hetim nga një organizatë joqeveritare, e fokusuar në tre nga prodhuesit më të mëdhenj të karkalecave të detit në botë.
Analiza e industrisë në Vietnam, Indonezi dhe Indi, të cilat prodhojnë rreth gjysmën e karkalecave për katër tregjet më të mëdha të botës, ka gjetur një rënie prej 20 deri 60 për qind të fitimeve nga nivelet para pandemisë, teksa prodhuesit luftojnë për t’i përmbushur kërkesat duke i ulur kostot e punës.
Në shumë vende kjo ka nënkuptuar punë të papaguar ose të paguar pak gjatë orareve më të gjata, po ashtu pasiguri në paga, ndërsa tarifat luhaten dhe shumë punonjës që fitojnë më pak se paga minimale. Raporti gjithashtu ka gjetur kushte të rrezikshme të punës, sidomos në Indi dhe në disa pjesë të Indonezisë, e madje edhe fëmijë të përfshirë në punë në disa pjesë të Indisë.
“Praktikat e prokurimit në supermarkete kanë ndryshuar dhe kushtet e punës janë prekur – në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë”, ka thënë Katrin Nakamura, nga Sustainability Incubator. Ajo ka shkruar raportin rajonal dhe ka udhëhequr kërkimin mbi industrinë në Vietnam.
Tubagus Haeru Rahayu, drejtori gjeneral i akuakulturës për Ministrinë e Çështjeve Detare dhe Peshkimit e Indonezisë, ka thënë se është befasuar nga gjetjet e raportit dhe se i ka lajmëruar njerëzit e industrisë për t’i hetuar presionet e çmimeve.
“Nëse ka presion të tillë, normalisht se do të ketë reagim – jo vetëm në Indonezi, por edhe në Vietnam dhe Indi”, ka thënë ai nga zyra e tij në Xhakarta.
Zyrtarët indianë dhe vietnamezë kanë refuzuar të komentojnë.
Supermarketet e lidhura me objektet ku është raportuar keqtrajtimi i punonjësve përfshin Target, Walmart dhe Costco në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Siansbury dhe Tesco të Britanisë, dhe Aldi dhe Co-op në Evropë.
Co-op i Zvicrës ka thënë se ka politika me “zero tolerancë” për shkeljet e ligjeve të punës dhe se prodhuesit “marrin çmime të drejta dhe të varura nga tregu”.
Aldi i Gjermanisë nuk e ka adresuar specifikisht problemin e çmimit, por ka thënë se përdor skema të pavarura certifikimi, për të siguruar burime të përgjegjshme për produktet e kultivuara të karkalecave të detit dhe se do të vazhdojë t’i monitorojë pretendimet.
“Ne jemi të përkushtuar ta përmbushim përgjegjësinë tonë në respektimin e të drejtave të njeriut”, ka thënë Aldi.
Sainsbury i është referuar një komenti nga grupi i industrisë së Kompanisë Britanike me Pakicë, që ka thënë se anëtarët janë të përkushtuar t’i vendosin produktet në një “çmim të drejtë dhe të volitshëm” dhe se mirëqenia e njerëzve dhe komuniteteve në zinxhirët e furnizimit është kryesore në praktikat e tyre të çmimeve.
Asnjë nga shitësit e tjerë të përmendur në raport nuk u është përgjigjur kërkesave të shumta për koment mbi raportin, të titulluar “Të drejtat e njeriut për darkë”.
Në Vietnam, studiuesit kanë gjetur se punonjësit që i qërojnë dhe pastrojnë karkalecat e detit, zakonisht punojnë gjashtë deri në shtatë ditë të javës, shpesh në dhoma tmerrësisht të ftohta për t’i mbajtur produktet të freskëta.
Rreth 80 për qind e të përfshirëve në procesimin e karkalecave të detit janë gra, që zgjohen në orën 4 të mëngjesit dhe kthehen në shtëpi në 6 të pasdites, me përjashtim të grave shtatzëna dhe nënave të reja që mund të kthehen një orë më herët.
“Puna për to përfshin qëndrimin në një dhomë të ftohtë dhe të dezinfektuar dhe punë jashtëzakonisht të shpejtë me thikë, duke u kujdesur të mos bëjnë gabime”, kanë thënë studiuesit.
Në përgjithësi, pagat nuk tregohen fillimisht dhe janë të bazuara në prodhim. Ndonjëherë punonjësit fitojnë pagën minimale, por shpesh nuk ndodh kjo.
Shoqata Vietnameze e Eksportuesve dhe Prodhuesve të Ushqimit të Detit ka lëshuar një deklaratë që i quan pretendimet e raportit “të pabazuara, mashtruese dhe të dëmshme për reputacionin e eksportit të karkalecave të detit të Vietnamit”.
I ka cituar gjithashtu politikat e Qeverisë rreth punës në një deklaratë katërfaqëshe, por nuk ka adresuar në mënyrë specifike gjetjet dhe nuk u është përgjigjur pyetjeve.
Pas ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit ushqimor gjatë pandemisë COVID-19, Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA-së ka raportuar në fillim të këtij viti se disa shitës ushqimorë e kanë përdorur situatën “si një mundësi për t’i rritur më tej çmimet, për t’i rritur fitimet e tyre, të cilat mbeten të larta edhe sot”.
Kërkesat për çmime më të ulëta të karkalecave – të kombinuara me rritjen e kostos së prodhimit dhe furnizimin e tepërt – nënkupton që fermerët shpesh i shesin produktet e tyre me çmim më të ulët, në mënyrë që ta vazhdojnë punën, ka gjetur analiza nga Sustainability Incubator.
Cahyonugroho ka thënë se është bllokuar duke shitur karkaleca të detit me çmimin e ofruar nga ndërmjetësit, të cilët ua shesin fabrikave për procesim. Ai nuk mund t’i mbledhë së bashku kostot e nevojshme për t’i shitur karkalecat direkt në fabrika ose tregje për të fituar më shumë.
“Mundësia është atje, por duhet shumë kapital nëse doni të ndërmerrni diçka të tillë”, ka thënë ai.
Ndërmjetësit që blejnë karkalecat e detit i fshehin burimet e vërteta të karkalecave që shfaqen në supermarketet perëndimore.
Vetëm rreth 2000 nga 2 milionë ferma të karkalecave të detit në vendet kryesore prodhuese si India, Indonezia, Vietnami, Ekuadori, Tailanda dhe Bangladeshi janë të certifikuar ose nga Këshilli Mbikëqyrës i Akuakulturës ose nga etiketat e Praktikat më të Mira të Akuakulturës.
“Meqenëse rendimenti nga shumica e fermave të certifikuara të karkalecave është shumë i vogël, është matematikisht e pamundur që fermat e certifikuara të prodhojnë mjaft karkaleca në muaj për t’i furnizuar të gjitha supermarketet që mburren me zotime se kanë blerë karkaleca të certifikuar”, ka thënë raporti.
Në mënyrë ideale, supermarketet duhet të paguajnë çmime më të larta për shumicë dhe të sigurohen se paratë e fituara ekstra të arrijnë deri te zinxhiri furnizues, ka thënë Nakamura.
Ligjbërësit amerikanë mund të përdorin ligje për ruajtje të konkurrencës dhe ligje të tjera që tashmë janë në fuqi për të krijuar mbikëqyrje e për të siguruar çmime të drejta nga shitësit perëndimorë, në vend se të shtojnë tarifa ndëshkuese ndaj furnizuesve për shkeljet e ligjeve të punës, ka thënë ajo.
Ndërgjegjësimi për tendencat që dëmtojnë furnizuesit po rritet.
Në korrik, Bashkimi Evropian ka miratuar një direktivë të re që u kërkon kompanive të “identifikojnë dhe adresojnë ndikimet negative mbi të drejtat e njeriut dhe mjedisin nga veprimet e tyre brenda dhe jashtë Evropës”.
Zyra e Gjykatës së Kodit të Ushqimit e Britanisë ka publikuar një “kërkim të thellë” rreth pikëpamjeve të furnizuesve në lidhje me sjelljen e supermarketeve, duke thënë se ata kishin zgjedhur të bënin “luftë” me furnizuesit.
Çmimet më të larta të shitjes me shumicë nuk duhet të nënkuptojnë çmime më të larta për konsumatorët, ka thënë Sustainability Incubator.
“Çmimet për fermerët do të ishin të paktën 20 për qind më të larta se sot, nëse karkalecat e detit, të shitur në supermarketet e Global North do të bëheshin me normat e pagës minimale dhe në përputhje me ligjet vendëse në fuqi për punën, shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës”, thuhet në raport. “Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht çmime më të larta të konsumit, sepse supermarketet veçse po përfitojnë me çmimet ekzistuese të konsumit”.
Studiuesit nga Laboratori i Auditimit të Korporatës ka gjetur se punonjësit indianë të industrisë së karkalecave përballen me “kushte të rrezikshme dhe abuzive” dhe se uji shumë i kripur nga çerdhet e karkalecave dhe pellgjet e sapohapura, të ndotura me kimikate dhe alga toksike, janë duke e ndotur ujin dhe tokën përreth.
Puna e papaguar po mbizotëron, duke i përfshirë pagat nën pagën minimale, punët e papaguara jashtë orarit, uljet e pagave për kostot e punës dhe robërinë e borxhit, thuhet në raport.
Janë gjetur edhe fëmijë që punojnë, me vajza të moshave 14 dhe 15-vjeçare që janë rekrutuar për punën e qërimit së karkalecave.
Në Indonezi, tri organizata jofitimprurëse kanë gjetur se pagat e punonjësve të karkalecave janë zvogëluar që nga pandemia dhe tani është mesatarisht 160 dollarë në muaj, që është nën pagën minimale të Indonezisë në shumicën e provincave të mëdha ku prodhohen karkalecat. Është zbuluar se qëruesve të karkalecave u kërkohet në mënyrë rutinore të punojnë të paktën 12 orë në ditë për t’i përmbushur objektivat minimale.
Megjithatë, duke pasur parasysh varfërinë e përhapur, shumica e punëtorëve kanë thënë se janë të lumtur që e kanë punën e tyre, ka thënë studiuesi kryesor Kharisma Nugroho e Institutit Kërkimor Migunani.
“Është shfrytëzim i cenueshmërisë së punëtorëve, sepse ata kanë mungesë opsionesh”, ka thënë ai. “Ata paguhen me rrogë minimale, por u duhet të punojnë 150 për qind të punës. A mund të jetojnë? Po. A mund të lëvizin? Po. A ankohen? Jo. Ata janë akoma atje”.
Raporti rajonal është përpiluar nga më shumë se 500 intervista të kryera personalisht me punëtorë në gjuhët e tyre amtare, në Indi, Indonezi dhe Vietnam, të plotësuara me të dhëna dytësore dhe intervistat nga Tajlanda, Bangladeshi dhe Ekuadori.
Pasi është lëshuar raporti i vendit i Indonezisë, zyrtarët qeveritarë kanë kërkuar të takohen me autorët dhe Nugroho ka thënë se ata kanë treguar “gatishmëri të vërtetë për ta përmirësuar situatën”.
Zyrtarët vietnamezë kanë biseduar gjithashtu me Sustainability Incubator për të biseduar për gjetjet.
Ndërhyrja e qeverisë dhe industrisë ka ndihmuar tashmë në Tajlandë, e cila është kritikuar, pasi AP-ja i ka ekspozuar abuzimet serioze të punës në industrinë e karkalecave në të kaluarën. Megjithatë, kjo ka çuar në çmime më të larta për karkalecat tajlandezë, duke bërë që disa blerës t’i zhvendosin burimet në Indi dhe Ekuador.
Ekuadori ka një qasje industriale për kultivimin e karkalecave – ndryshe nga bizneset më të vogla, shpesh të drejtuara nga familjet në Azinë Juglindore – dhe tani është eksportuesi më i madh në botë i karkalecave. Ajo i ka çmimet më të ulëta, e ndjekur nga India, Kina, e cila nuk është përfshirë në raport; pastaj vjen Vietnami dhe Indonezia.
Por me kërkesën për çmime më të ulëta me shumicë, ndërsa eksporti i Ekuadorit është rritur 12 për qind në volum në vitin 2023, ata kanë rënë 5 për qind në vlerë. Eksportet e Indisë janë rritur për 1 për qind, por kanë rënë 11 për qind në vlerë.
Ndërkohë, me çmimet e tyre relativisht të larta, eksportet e Vietnamit kanë rënë 25 për qind në volum në vitin 2023, ndërsa ato të Indonezisë 9.5 për qind.
“Shfrytëzimi i punës në industritë e akuakulturës së karkalecave nuk është rast specifik i kompanisë, sektorit apo vendit”, thuhet në raport. “Në vend të kësaj, është rezultat i një modeli biznesi të fshehur që i shfrytëzon njerëzit për përfitim”./Koha