Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, ka thënë sot se derisa Kosova po angazhohej për dialogun e Brukselit, Serbia me agjentët e saj terroristë po përgatiteshin për aneksimin e veriut.
Ky reagim i Bajramit erdhi pasi policia sot gjeti një depo me armë gjatë një bastisje në veri.
“Në kuadër të hetimeve të sulmit terrorist të 24.09.2023, Policia e Kosovës zbuloi një tjetër depo të armëve të rënda. Dëshmi shtesë se derisa Kosova angazhohej në dialogun e Brukselit, Serbia dhe agjentët e saj terroristë në terren po përgatiteshin për aneksimin e pjesës veriore të vendit tonë”, ka shkruar ai.
Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh, mjete eksploduese dhe pajisje të tjera ushtarake, gjatë bastisjeve të kryera të shtunën në disa lokacione në veri.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kapja e arsenalit të ri të armëve në veri, gjatë ditës së sotme, ka qartësuar planin e Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes agresionit terrorist.
Sveçla ka thënë se armët e kapura sot janë prodhime të njëjta me ato të sekuestruara më herët.
Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pas u liruan.
Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.
Sulmi u cilësua si akt terrorist dhe agresioni ndaj shtetit të Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.
Pas këtij sulmi NATO-ja ka rritur praninë në Kosovë, duke dërguar trupa shtesë. /Reporteri