Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, bazuar në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.
Këtë e ka cilësuar si lajm të mirë, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, shkruan Reporteri.net.
Rohde tha se më në fund Kosova ka nisur për të ecur përpara në luftimin serioz të korrupsionit.
“Vërtetë lajm i mirë. Kosova ka shënuar progres të dukshëm në luftimin e korrupsionit. Në indeksin e antikurropsionit Kosova ka përparuar 17 vendeve, dhe tani renditet në vendin e 87-të. Inkurajojmë Kosovën që më në fund të fillojë të ecë përpara në luftën serioze të korrupsionit. Vazhdo kështu. Kosova ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë”, ka shkruar ambasadori Rohde.
Organizata Transparency International ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, ku thuhet se Kosova ka treguar vullnet për të luftuar korrupsionin teksa për dallim nga vitit i kaluar, Kosova ka shënuar përmirësim për 17 vende në luftën kundër korrupsionit.