Ambasadori amerikan në OSBE, Michael Carpenter, ka ndarë komente për raportin e përpiluar nga shefi i OSBE-së, Michael Denport, për Kosovën. Ai ka thënë se SHBA-ja pret me padurim ditën kur shteti i Kosovës të jetë pjesë anëtarë e OSBE-së.
Carpenter, në një letër të shpërndarë nga ambasada amerikane, ia përmendi Denportit edhe çështjen e sulmeve kundër Policisë së Kosovës në veri, teksa ia bëri të qartë qëndrimin e SHBA-së për këtë, shkruan lajmi.net.
“Ne monitoruam nga afër incidentet që synonin policinë në veri dhe dënuam sulmet, të cilat duhet të hetohen tërësisht. Këto sulme ndodhën teksa autoritetet sovrane përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare. Ne paralajmëruam kundër spekulimeve që do të rrisnin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, citohet nga ambasada amerikane në Kosovë të ketë thënë Carpenter.
“…Prandaj, ne e mirëpresim këtë praktikë dhe inkurajojmë që ajo të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ne besojmë se është për të ardhur keq që Kosova nuk është anëtare e këtij organi dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë. Ne e presim me padurim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i OSBE-së dhe kjo mund të ndodhë”, citohet më tej ambasadori amerikan.
Më tej, ai përmend edhe zgjedhjet lokale të vitit të kaluar në Kosovë që u mbajtën pa ndihmën e OSBE-së, duke i cilësuar si “dëshmi të ringjalljes së demokracisë”.
“Zgjedhjet lokale në tetor dhe nëntor të vitit 2021 ishin një arritje e rëndësishme në atë që ishin cikli i parë, siç e vutë re, i plotë zgjedhor komunal i kryer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës pa ndihmën e OSBE-së. Në mënyrë domethënëse, këto zgjedhje prodhuan shumë zyrtarë për herë të parë, një dëshmi e gjallërisë së demokracisë së Kosovës”, komenton ndër të tjera Carpenter.
Ai, më tej ka thënë se SHBA-ja vazhdon ta mbështesë fuqimisht punën e misionit të OSBE-së në të mirë të zhvillimit të Kosovës.