Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka lënë të hapur mundësinë për një rikthim të ardhshëm te Liverpool, nëse paraqitet rasti. Raportohet se Alonso kishte refuzuar një ofertë për t’u rikthyer në Anfield kur drejtonte Bayer Leverkusen, duke pritur pozitën e Real Madridit, por tani stoli i të dy klubeve është i pasigurt.
Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, është nën presion të madh, me Reds që renditen në vendin e 10-të në Premier League, pavarësisht se sezonin e kaluar fituan titullin dhe investuan shumë gjatë verës. Ndërkohë te Real Madridi, Alonso mund të ketë nevojë për një fitore kundër Manchester City këtë javë për të siguruar qëndrimin në detyrë.
Një pjesë e dramës te Liverpool lidhet me përplasjen mes trajnerit Slot dhe yllit Mohamed Salah, i cili është lënë jashtë skuadrës për ndeshjen ndaj Interit pasi kritikoi publikisht klubin. Këtë çështje, Alonso refuzoi ta komentojë.
“Këto janë vendime që i kanë marrë në Liverpool. Pa dyshim, na mungojnë shumë detaje. Nuk më takon mua të jap mendim për këtë.”
Ai shtoi se nuk do të ndryshonte sjelljen e tij ndaj Vinicius Junior, i cili reagoi keq ndaj zëvendësimit në El Clasico më herët këtë sezon.
Nëse Slot shkarkohet, Alonso përmendet si një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar, nëse është i lirë. Ai u pyet për mundësinë e një rikthimi në Premier League si trajner.
“Sigurisht, është diçka që mund të merret në konsideratë me klubet angleze, me ish-klubin tim. Por për momentin, ky është vendi ku dua të jem, dhe në të ardhmen, nuk i dihet asnjëherë se çfarë mund të ndodhë.”














































