Alkooli është një substancë që ka shoqëruar njerëzimin prej mijëra vitesh. Ai është i lidhur me momente gëzimi dhe hidhërimi, ngjarje shoqërore dhe ndonjëherë me çaste vetmie. Për shumë të rinj, veçanërisht studentët, alkooli bëhet pjesë e përditshmërisë gjatë viteve të studimeve. Por, sa i ndërgjegjshëm është ky brez për ndikimin që ka konsumimi i tij në trurin dhe të ardhmen e tyre?
Sipas profesorit Athanasios Tziamourtas nga Fakulteti i Shkencave Bujqësore në Universitetin e Thesalisë në Greqi , studentët grekë ndodhen në prag të një periudhe të rëndësishme akademike, provimeve kombëtare, ndërsa në vjeshtë, mijëra të rinj do të shpërngulen për të nisur jetën e re universitare. Kjo fazë përfshin më shumë se studime: ajo është një periudhë vendimtare për formimin e zakoneve që ndikojnë në mirëqenien fizike dhe psikologjike afatgjatë.
Plasticiteti i trurit, pra aftësia e tij për t’u zhvilluar dhe përshtatur, është në kulmin e tij gjatë adoleshencës dhe rinisë së hershme. Ky zhvillim nuk përfundon para moshës 25 vjeç, ndaj konsumimi i alkoolit gjatë kësaj periudhe mund të ketë pasoja të mëdha. Konsumi i lartë i alkoolit, mbi 6 pije njëherësh ose më shumë se 3 brenda një ore, është lidhur me dëmtime në zonën e hipokampusit, pjesë kyçe e trurit për kujtesën dhe të nxënit. Reduktimi i madhësisë së hipokampusit është një karakteristikë që haset edhe te sëmundja e Alzheimerit dhe depresioni.
Një numër studimesh nga SHBA dhe universitete si Harvard tregojnë se studentët që konsumojnë shumë alkool jo vetëm që kanë performancë më të dobët në testet njohëse, por edhe arrijnë rezultate më të ulëta akademike dhe kanë të ardhura më të ulëta pas diplomimit. Për më tepër, cilësia e gjumit bie ndjeshëm, duke përkeqësuar aftësinë për përqendrim dhe të nxënë.
Sjelljet që lidhen me abuzimin me alkool shpesh ndërlidhen me mungesën e aftësive organizative dhe presionin social. Po ashtu, një vëzhgim interesant tregon se studentët që ndjekin degë me prirje drejt aktivitetit fizik, si Edukimi Fizik dhe Sporti, kanë një tendencë më të ulët për të konsumuar alkool në krahasim me studentët e degëve të tjera.
Studimet më të fundit sugjerojnë se pasojat e konsumimit të tepërt të alkoolit gjatë rinisë mund të jenë të kthyeshme, veçanërisht nëse ndërmerren masa parandaluese si ushtrimet fizike. Për shembull, ushtrimet aerobike janë lidhur me rritjen e vëllimit të hipokampusit dhe përmirësimin e funksioneve njohëse.
Një nga mënyrat më efektive për të frenuar konsumimin e tepërt të alkoolit është përfshirja në programe të organizuara ushtrimesh. Në laboratorin e Universitetit të Thesalisë, kërkimet kanë treguar se aktiviteti fizik mund të ulë konsumin e alkoolit deri në 40% tek individët që konsumojnë shpesh. Ky ndikim pozitiv vërehet më shumë në departamente që e kanë aktivitetin fizik si pjesë të studimeve të tyre.
Gjithashtu, shumë universitete ndërkombëtare po zbatojnë programe psikoedukative për të rritur vetëdijen, rezistencën mendore dhe vetërregullimin tek studentët. Këto ndërhyrje synojnë jo vetëm reduktimin e konsumit të alkoolit, por edhe forcimin e mirëqenies mendore dhe performancës akademike.
Konsumi i alkoolit tek të rinjtë, është në rritje, duke rrezikuar shëndetin, arsimin dhe të ardhmen e tyre profesionale. Është e domosdoshme që ky informacion të shpërndahet gjerësisht dhe të përkthehet në politika parandaluese dhe arsimore efektive.
Prof. Tziamourtas thekson se ndërgjegjësimi duhet të fillojë që në moshat e hershme dhe të vazhdojë përgjatë gjithë viteve të studimit, me përfshirjen e të gjithë aktorëve: familjes, shkollës, universiteteve dhe politikëbërësve. Parandalimi i konsumimit të tepërt të alkoolit është një investim në shëndetin, mirëqenien dhe suksesin e brezave të ardhshëm.