Albion Rrahmani do të vazhdojë karrierën në Rumani. Sulmuesi nga Podujeva ka bërë shumë mirë me Ballkanin në dy sezonet e fundit. Duke fituar po kaq herë titullin dhe duke mbërritur deri në grupet e Conference League.
22-vjeçari u shpall golashënuesi më i mirë i dueleve eliminatore në Conference League gjatë verës së vitit të kaluar me 7 gola. Gjatë 67 ndeshjeve me kampionët nga Theranda, Rrahmani ka realizuar 34 gola dhe 9 asiste.
Shtypi rumun shkruan se kartoni i tij është blerë nga Rapidi i Bukureshtit për 600 mijë euro! Duke e cilësuar si një përforcim fantastik për skuadrën kryeqytetase, që ka si objektiv fitimin e titullit kampion.
Akordi është arritur, por zyrtarizimi dhe prezantimi i Rrahmanit si lojtari më i ri i Rapidit do të marrë pak kohë. Pasi Rumania nuk e njeh si shtet Kosovën dhe goleadorit dardan do i nevojiten disa ditë për të realizuar gjithë procedurat e nevojshme.
Rrahmani është grumbulluar me përfaqësuesen e Kosovës, por nuk ia ka dalë ende të debutojë.