Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka shprehur urimet e tij Bedri Hamzës pas zgjedhjes në krye të Partisë Demokratike të Kosovës.
Përmes një postimi, Kurti theksoi rëndësinë e proceseve të rregullta zgjedhore brenda partive politike dhe nevojën për bashkëpunim ndërpartiak në funksion të interesit publik.
“Proceset zgjedhore brenda partisë, por edhe bashkëpunimi i ndërsjellë i spektrit të gjerë politik, çdo herë në të mirë të interesit publik, janë parime themelore për funksionimin dhe avancimin e shtetit tonë”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se do të vazhdojë angazhimin për bashkëpunim korrekt me të gjitha subjektet politike, në përputhje me vullnetin e qytetarëve dhe me përgjegjësitë që kërkon shërbimi ndaj Republikës.














































