Albana Thaçi – Salihi është kandidate për Kuvendin e Komunës së Prizrenit nga radhët e LDK-së, me numrin 30 në listën zgjedhore, shkruan 04 Online.
E diplomuar në Fakultetin e Edukimit në drejtimin e Kimisë dhe Fizikës, ajo thekson se synon të jetë zëri i profesionistëve të arsimit dhe i qytetarëve që përballen me padrejtësi.
Njoftimi i plotë i Albana Thaçi – Salihit
Të nderuar familjarë, miq dhe dashamirë,
Jam rritur dhe edukuar nga prindër e familjarë të cilët më mësuan të respektoj të tjerët jo për atë se si duken nga jashtë, por për atë çfarë përfaqësojnë nga brenda.
Si vajzë e dy prindërve punëtorë të arsimit, që mbi katër dekada kontribuan për edukimin e brezave, u rrita mes librave dhe dashurisë për misionin fisnik të mësuesit. Frymëzuar nga kjo dashuri, vendosa ta ndjek këtë rrugë edhe vetë, bashkë me motrën time binjake, Albulenën. Ne të dyja studiuam në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin e Kimisë dhe Fizikës, ku diplomuam në afat rekord me sukses të shkëlqyeshëm.
Në vitin 2010, me shumë entuziazëm mendova se kisha arritur qëllimin tim: ta vë në praktikë dijen e fituar dhe ta shpërndaj atë tek brezat e rinj. Por tash e 15 vite, unë ende mbetem në “listën e pritjes” për ta ushtruar profesionin tim.
Edhe pse pata mundësinë të kontribuoj disi në institucione private të arsimit, në ato publike dera ka mbetur e mbyllur. Dhe e di që nuk jam e vetmja në këtë situatë.
Duke parë se zëri im dhe i shumë profesionistëve si unë nuk po dëgjohet, kam vendosur të bëhem zëri i tyre. Të jem përfaqësuese e gjithë atyre që nuk po mundësohen të punojnë, vetëm pse nuk kanë një lidhje politike apo mjete financiare për të “blerë” një vend pune në shkollat e Komunës së Prizrenit.
Për këtë arsye, dhe shumë të tjera, këtë herë unë kam vendosur të jem pjesë e garës për legjislativin komunal në Prizren, si kandidate në listën zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me numrin 30.
Deri më 12 Tetor 2025, ditën e zgjedhjeve lokale, do të kërkoj besimin dhe mbështetjen tuaj. Pas kësaj date, unë do të jem adresa dhe zëri i secilit prej jush që përballet me padrejtësi.
Unë nuk jam në këtë garë për kompromise me pushtete apo për pazare personale. Besimi juaj për mua është më shumë se një përgjegjësi – është një barrë dhe një nder i madh që të jem zëri juaj.
Faleminderit për besimin tuaj.
Me respekt,
Albana Thaçi – Salihi