Në mesin e aktiviteteve verore që shpesh i bëjmë pa shumë mendim, njëri prej tyre po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje për përfitimet që sjell në trup dhe mendje, dhe nuk është as palestër, as sport ekstrem, por është kopshtaria.
Përveçse një mënyrë për t’u lidhur me natyrën dhe për të kaluar kohë cilësore jashtë, ky aktivitet rezulton të jetë një stërvitje e mirëfilltë fizike, dhe këtë nuk e thotë një trajner, por mjeku i njohur francez, Dr. Jimmy Mohamed. Në një intervistë për ‘RTL Matin’, ai e cilëson kopshtarinë si një ‘aktivitet të plotë fizik’, që vlen sa një orë në palestër.
“Në kopshtari përfshihen lëvizje të ndryshme si ulesh, gërmon, krasit, mbart, mbjell, dhe pikërisht kjo shumëllojshmëri e bën atë kaq efektive,” shpjegon Dr. Mohamed. Sipas tij, nuk aktivizohen vetëm krahët dhe këmbët, por edhe muskujt postural, ata që zakonisht përfshihen në ushtrime Pilates apo të barkut.
Por përfitimet nuk ndalen vetëm te muskujt dhe kaloritë. Kopshtaria ndikon ndjeshëm edhe në shëndetin mendor. Vetëm 30 minuta në kopsht janë të mjaftueshme për të ulur nivelin e kortizolit, hormoni i stresit që rritet kur jemi të lodhur, të tensionuar apo të shqetësuar.
Ndryshe nga aktivitetet që mund të ushqejnë ndjenjën e detyrimit apo krahasimit, kopshtaria është e lirë nga presioni. Është një zgjedhje personale, shpesh e organizuar në ritmin e vet, në mënyrë të qetë, ndonjëherë edhe si një aktivitet social me familjarët apo fqinjët.
Qoftë duke mbjellë një lule, duke krasitur një pemë apo duke hequr barërat e këqija, kopshtaria është një mënyrë natyrale dhe efektive për të qëndruar në formë dhe për të përmirësuar gjendjen emocionale.