Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Ismet Popaj, për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri, më 03.03.2025, në afërsi të teqesë “Saraçhane” në Prizren, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare, ku edhe ka grisur librin e shenjtë, Kuranin, transmeton Zeri.info.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë aktakuzë kundër të pandehurit I.P. për veprën penale ‘Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’, sipas Nenit 141, paragrafit 1 të KPRK-së. PSRK-ja ka ngritur aktakuzë me propozim për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri ndaj I.P.”.
“Hetimet kanë rezultuar se I.P. e ka grisur dhe e ka shpërndarë në tokë librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin, duke shkaktuar mllef të madh te komuniteti islam dhe duke cenuar bashkëjetesën ndërmjet grupeve me ideologji të ndryshme fetare”.
“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, meqenëse aftësia e tij, në kohën e kryerjes së veprës penale, për të gjykuar dhe kontrolluar veprimet e veta ka qenë e zvogëluar në shkallë esenciale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Zëri