Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave nën dyshimin për kultivim dhe shpërndarje të narkotikëve, në lidhje me rastin e zbulimit të një laboratori të drogës më 23 prill 2025 në Prizren.
Të pandehurit K.R., L.B., D.M., Sh.K., F.H., M.S., A.S., E.M. dhe B.M. dyshohen se nga një periudhë e pacaktuar kohore deri më 23 prill 2025 kanë vepruar si grup i organizuar, duke shfrytëzuar dy banesa në lagjen “Dardania”, në katin e shtatë, për krijimin e një laboratori të sofistikuar “indoor” për kultivimin e bimës kanabis sativa.
Sipas aktakuzës, laboratori ka qenë i pajisur me llamba profesionale, sisteme ventilimi, pesticide, matës temperature dhe pajisje të tjera mbështetëse, ku janë kultivuar gjithsej 175 bimë kanabisi. Për këto veprime, tetë nga të pandehurit akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, nga neni 272 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, të pandehurit D.M., E.M., M.S. dhe A.S. akuzohen edhe për përgatitje të lëndës narkotike për shitje dhe shpërndarje përmes tharjes, paketimit dhe përgatitjes së saj, duke kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, nga neni 267 i KPRK-së.
Ndërkohë, K.R. dhe L.B. akuzohen se deri më 7 maj 2025 kanë shpërndarë dhe shitur marihuanë dhe kokainë në Prizren, Prishtinë dhe Fushë Kosovë. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar 451.91 gram kokainë, para të gatshme dhe pajisje për ndarjen dhe peshimin e narkotikëve. Sipas aktakuzës, K.R. ka kryer edhe shitjen e 2 kilogramë marihuanë në këmbim të një veture të tipit “Audi A6”.
Ndërkaq, i pandehuri B.M. akuzohet se, në bashkëkryerje me grupin, ka ndihmuar në kultivimin e kanabisit duke informuar të pandehurit për lëvizje të dyshimta që mund të çonin në zbulimin e laboratorit nga policia.
Prokurori i rastit ka kërkuar konfiskimin e mjeteve dhe pasurisë së përfituar nga veprimtaria penale, përfshirë: dy banesa në Prizren, dy vetura, narkotikët e sekuestruar, telefona mobilë e para të gatshme në vlerë prej 1,020 euro dhe 30 franga zvicerane.
Prokuroria i ka propozuar gjykatës që, pas administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./Reporteri.net/














































