Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve M.M., N.U., S.S., dhe N.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas aktakuzës, të pandehurit M.M., N.U., S.S., dhe N.K., deri më datë 20.04.2024, pa autorizim posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrojnë për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pasi substancën narkotike e kishin siguruar nga Republika e Shqipërisë, të njëjtën e kishin fshehur në fshatin Greikoc – Komuna e Suharekës, në shtëpinë e të pandehurit S.S., në rrugën “8 Martirët”.
“Të njëjtën substancë narkotike ia ofrojnë për shitje dy personave në njërën prej pompave të derivateve, në rrugën e transitit në Prizren, ashtu që derisa të pandehurit N.K., M.M., dhe N.U., me një person qëndrojnë në pompën e derivateve, i pandehuri S.S., me personin tjetër – blerësin potencial shkojnë në fshatin Greikoc në shtëpinë e të pandehurit S.S., për ta verifikuar substancën narkotike, me ç’ rast sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren, kontrollohet shtëpia e S.S., ku policia gjen 49 kg e 750 gramë substancë narkotike të llojit ‘marihuanë’ të sistemuara në pesë (5) paketime”, thuhet në njoftim.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./Koha