Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve me inicialet R.P dhe D.O. të nacionalitetit serb.
“Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të lartcekurit në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit”, njofton Prokuroria.
Me këto veprime të pandehurit Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq akuzohen për veprën penale ‘’Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me 29 maj të vitit 2023 në Zveçan, disa pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë lënduar, si pasojë e sulmit të protestuesve serb.
Gjatë operacionit të asaj dite u dëgjuan shpërthime me gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërsa në drejtim të ushtarëve të KFOR-it janë hedhur gurë, shishe dhe kokteje molotovi.
93 trupa të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë, kanë mbetur të lënduar nga tensionet ato ditë.
Protesta e serbëve ishte organizuar kundër kryetarëve shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq./Telegrafi/